Gjatë takimit u diskutua për projektet aktuale të agjencisë, aktivitetet e planifikuara, sfidat me të cilat përballet, si dhe prioritetet në kuadër të avancimit të reformave dhe digjitalizimit të shërbimeve në administratën publike.
Në këtë kuadër, si një nga prioritetet kryesore u theksua edhe aprovimi i rregullores së re të ASHI-së, e cila hap rrugë për funksionalizimin e planit për ASHI 2.0, që parasheh trefishimin e agjencisë, si dhe zgjerimin e saj me departamente, divizione dhe profile të reja profesionistësh për të adresuar nevojat e avancimit digjital të institucioneve shtetërore dhe zhvillimet dinamike në fushën e teknologjisë.
Agjencia e Shoqërisë së Informacionit ka një rol kyç në ndërtimin dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës shtetërore të teknologjisë së informacionit dhe shtyllave të qeverisjes digjitale, në digjitalizimin e shërbimeve publike, si dhe në forcimin e sigurisë së rrjetit dhe sistemeve qeveritare të informacionit.
Ministri Jagxhiu theksoi gjithashtu punën që agjencia është duke bërë në zbatimin e projektit “Forcimi i Qeverisjes Digjitale për Ofrim të Shërbimeve”, të mbështetur nga Banka Botërore, si dhe në ndërtimin e SOC-ut qeveritar.