Gjatë takimit u rikonfirmua bashkëpunimi i ngushtë me Gjermaninë dhe vullneti për mbështetje të mëtejshme të proceseve të digjitalizimit dhe reformës së administratës publike, si dhe në fusha të tjera me interes të përbashkët.
Ministri vlerësoi lart mbështetjen e Gjermanisë në avancimin e digjitalizimit, në veçanti përmes angazhimit në Zvogëlimin e Barrës Administrative, ku është bërë një punë e rëndësishme në thjeshtimin dhe digjitalizimin e shërbimeve. Ky rrugëtim pritet të intensifikohet më tej përmes bashkëpunimit të vazhdueshëm.
Gjatë takimit, ministri prezantoi edhe dhjetë fushat e portofolit të MDAP-së, duke theksuar reformën e administratës publike, transformimin digjital dhe sigurinë kibernetike si fusha kyçe me interes për thellim të bashkëpunimit.
U nënvizua rëndësia e zbatimit të agjendës së reformave në kuadër të Planit të Rritjes të dakorduar me Bashkimin Evropian, ku një pjesë e konsiderueshme e indikatorëve janë të lidhur drejtpërdrejt me përgjegjësitë e MDAP-së.
Palët diskutuan mundësitë për ofrimin e ekspertizës dhe mbështetjes në planifikimin dhe zbatimin e këtyre reformave.
Bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë mbetet thelbësor për avancimin e reformave dhe forcimin e transformimit digjital, në funksion të përmirësimit të shërbimeve për qytetarët dhe modernizimit të administratës publike.