Lulëzon Jagxhiu është Ministër i Digjitalizimit dhe Administratës Publike në Qeverinë e Republikës së Kosovës. Para emërimit në këtë detyrë, ai ka shërbyer si CTO i Qeverisë dhe Këshilltar i Kryeministrit për Teknologji të Informacionit. Në këtë rol, ai ka koordinuar transformimin digjital në nivel të Qeverisë së Kosovës, ka udhëhequr zhvillimin e politikave dhe strategjive kombëtare për digjitalizim dhe siguri kibernetike, si dhe ka mbikëqyrur zbatimin e programeve kyçe të transformimit digjital në nivel qeveritar.
Nën udhëheqjen e tij, Qeveria e Kosovës ka avancuar disa nga reformat më të rëndësishme në fushën e GovTech, përfshirë zbatimin e qasjes së ofrimit të shërbimeve bazuar në ngjarje jetësore, dizajnimin e tranzicionit në cloud hibrid qeveritar, modernizimin e rrjetit qeveritar, implementimin e platformës mbarëqeveritare Whole-of-Government, si dhe krijimin e katalogut të centralizuar kombëtar të të dhënave. Ai gjithashtu ka shërbyer si anëtar i Komisionit për Transformim Digjital dhe Komisionit Ekzekutiv për Shëndetësi, të dyja komisione të nivelit të lartë të kryesuara nga Kryeministri, si dhe si Kryesues i Grupit Punues për Siguri Kibernetike të Infrastrukturës Kritike të Kosovës.
Para angazhimit në sektorin publik, Lulëzon Jagxhiu ka kaluar afro dy dekada në role të larta ekzekutive dhe menaxheriale në industrinë e TIK në Kosovë, dhe ka udhëhequr realizimin e projekteve komplekse të transformimit digjital në Kosovë dhe Zvicër.
Ai mban titullin MBA me fokus në Analizë dhe Planifikim Financiar të Korporatave, si dhe Lidership Strategjik nga Smeal College of Business në Pennsylvania State University, si dhe diplomë Bachelor në Inxhinieri Kompjuterike nga Univerziteti i Prishtinës. Gjithashtu, ai është alumn i Kosova American Education Fund dhe anëtar i Beta Gamma Sigma, shoqatë ndërkombëtare e nderit në fushën e biznesit.