Ministri i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu, mori pjesë në takimin e organizuar në Tech Park Prishtina nga UK–Kosovo Tech Hub

Ministri i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu, mori pjesë në takimin e organizuar në Tech Park Prishtina nga UK–Kosovo Tech Hub, platforma e re e bashkëpunimit ndërmjet kompanive të teknologjisë të Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar, e cila u lansua muajin e kaluar.

Së bashku me Ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, znj. Mimoza Kusari-Lila, Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, z. Jonathan Hargreaves, si dhe përfaqësues të kompanive të teknologjisë, Ministri Jagxhiu mori pjesë në një diskutim të hapur mbi sfidat dhe mundësitë e sektorit të TIK-ut. Gjatë diskutimit u trajtuan mënyrat për të mbështetur më tej zhvillimin e këtij sektori, rritjen e konkurrueshmërisë së kompanive kosovare dhe zgjerimin e pranisë së tyre në tregjet ndërkombëtare, me fokus të veçantë në tregun britanik.

Me një rritje prej 455% të eksporteve të shërbimeve të TIK-ut gjatë pesë viteve të fundit, ky sektor përfaqëson një nga shtyllat më dinamike të zhvillimit ekonomik të Kosovës. Qeveria mbetet e përkushtuar ta mbështesë këtë potencial përmes investimeve në kapitalin njerëzor, avancimit të infrastrukturës digjitale, krijimit të një mjedisi të favorshëm për inovacion dhe zhvillimit të politikave që nxisin rritjen e ekonomisë digjitale.

Gjatë diskutimit u theksua edhe rëndësia e një angazhimi të përbashkët dhe të vazhdueshëm të institucioneve dhe sektorit privat në promovimin ndërkombëtar të Kosovës si një destinacion konkurrues për investime dhe partneritete në teknologji. Po ashtu, u diskutua rëndësia e anëtarësimit të Kosovës në Single Euro Payments Area (SEPA), i cili do të lehtësojë pagesat ndërkufitare, do të zvogëlojë kostot e transaksioneve financiare dhe do të kontribuojë në integrimin më të thellë të Kosovës në tregun evropian.

Ministri Jagxhiu vlerësoi iniciativën e UK–Kosovo Tech Hub për kontributin e saj në forcimin e lidhjeve ndërmjet kompanive të teknologjisë të Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar, duke krijuar mundësi të reja për bashkëpunim, investime dhe rritje ekonomike.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors