Ministri i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu, nisi vizitën zyrtare në Republikën e Kroacisë, një vend mik dhe partner i rëndësishëm i Kosovës, me një seri takimesh të fokusuara në transformimin digjital, modernizimin e administratës publike dhe avancimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.
I shoqëruar nga Ambasadori i Republikës së Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, Ministri Jagxhiu u mirëprit në Ministrinë e Drejtësisë, Administratës Publike dhe Transformimit Digjital të Kroacisë, si dhe në APIS IT, kompani shtetërore dhe një nga ofruesit kryesorë të infrastrukturës dhe shërbimeve të përbashkëta digjitale për sektorin publik kroat.
Në takime u diskutua për shtyllat kryesore të transformimit digjital të sektorit publik: interoperabilitetin dhe ndërlidhjen e regjistrave shtetërorë, portalin qendror të shërbimeve, parimin “vetëm një herë” dhe shërbimet e bazuara në ngjarje jetësore, identitetin elektronik dhe kuletën digjitale, katalogun e të dhënave, si dhe infrastrukturën digjitale të rrjetit, qendrave të të dhënave dhe cloud-it qeveritar.
Diskutimet u fokusuan gjithashtu në rëndësinë e kësaj infrastrukture si bazë për zbatimin e inteligjencës artificiale në administratën publike, si dhe në zbatimin e legjislacionit të Bashkimit Evropian në fushën e inteligjencës artificiale, identitetit elektronik dhe shërbimeve digjitale.
Një pjesë e diskutimeve me APIS IT iu kushtua modelit të organizimit të shërbimeve të përbashkëta dhe cloud-it qeveritar, përfshirë ndarjen e përgjegjësive ndërmjet ministrisë përgjegjëse për politikat dhe koordinimin e transformimit digjital dhe kompanisë shtetërore që ofron një pjesë të rëndësishme të infrastrukturës dhe shërbimeve teknologjike. Kjo është veçanërisht relevante edhe në kontekstin e iniciativës së Ministrisë për tranzicionin drejt cloud-it qeveritar dhe konsolidimin e infrastrukturës së përbashkët digjitale.
Gjatë takimeve u dakordua për vazhdimin e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të përvojave, veçanërisht në zhvillimin e infrastrukturës digjitale, avancimin e interoperabilitetit dhe regjistrave shtetërorë, si dhe identitetit digjital.
Ministri Jagxhiu falënderoi Ministrinë e Drejtësisë, Administratës Publike dhe Transformimit Digjital të Kroacisë dhe APIS IT për pritjen dhe gatishmërinë për të avancuar bashkëpunimin ndërinstitucional.