Jagxhiu takon homologun kroat Damir Habijan

Sot, gjatë vizitës zyrtare në Republikën e Kroacisë, Ministri i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, z. Lulëzon Jagxhiu, u prit në një takim nga Ministri i Drejtësisë, Administratës Publike dhe Transformimit Digjital të Kroacisë, z. Damir Habijan.

Në këtë takim, ku ishte i shoqëruar nga Ambasadori i Republikës së Kosovës në Kroaci, z. Martin Berishaj, u ritheksuan marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe dhe partneriteti me bazë të fortë mirëbesimi që bashkon dy shtetet tona.

Diskutimet u fokusuan në identifikimin e hapave konkretë për thellimin e bashkëpunimit institucional në fushën e administratës publike dhe transformimit digjital.

Në këtë drejtim, u diskutua për shkëmbimin e përvojave në modernizimin e administratës, zhvillimin e shërbimeve publike digjitale dhe ndërtimin e institucioneve moderne, efikase dhe gjithëpërfshirëse, në shërbim të qytetarëve.

Palët u pajtuan që të punojnë drejt nënshkrimit të një Memorandumi të Mirëkuptimit (MoU) për bashkëpunim në fushën e transformimit digjital dhe administratës publike, si një hap konkret në avancimin e marrëdhënieve institucionale.

Republika e Kroacisë mbetet një aleate e palëkundur dhe një partner i rëndësishëm për Kosovën. Përvoja e saj në procesin e integrimit evropian dhe transformimit digjital përbën një aset të vlefshëm për avancimin e agjendës reformuese dhe fuqizimin e kapaciteteve shtetërore të Republikës së Kosovës.

Gjatë takimit, Ministri Jagxhiu e ftoi Ministrin Habijan të marrë pjesë në KosovaPAR, konferencën vjetore që mbahet në fund të tetorit në Prishtinë, e cila do të jetë një mundësi e rëndësishme për të vazhduar shkëmbimin e përvojave dhe diskutimin mbi të ardhmen e administratës publike dhe transformimit digjital.

Ministri Jagxhiu shprehu mirënjohjen e tij për Ministrin Habijan për mikpritjen e ngrohtë dhe për angazhimin e tij në avancimin e mëtejmë të partneritetit ndërmjet dy vendeve.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors