Jagxhiu: Hapësirë e madhe për ndërtim të bashkëpunimeve të reja me Kroacinë

Në mbrëmjen përmbyllëse të Croatian Business Day in Kosovo 2026, Ministri i Ministrisë së Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu, iu drejtua pjesëmarrësve pas një dite të pasur me diskutime mbi mundësitë e reja të bashkëpunimit, investimeve dhe partneriteteve ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë.

Ministri Jagxhiu theksoi potencialin që kanë marrëdhëniet e mira ndërmjet dy vendeve për t’u shndërruar në partneritete edhe më konkrete në ekonomi dhe teknologji, veçanërisht në një kohë kur sektori kroat i teknologjisë po zhvillohet me ritme të shpejta dhe investimet në digjitalizim, infrastrukturë, siguri kibernetike, cloud, të dhëna dhe inteligjencë artificiale po intensifikohen.

Vizita e tij e fundit në Kroaci dhe takimi me homologun e tij, Ministrin Damir Habijan, si dhe me institucione e kompani të ekosistemit digjital kroat, e kanë përforcuar bindjen se ekziston hapësirë e madhe për shkëmbim përvoje dhe ndërtim të bashkëpunimeve të reja.

Partneritetet nuk ndërtohen vetëm nga institucionet. Ato ndërtohen nga njerëzit dhe kompanitë. Prandaj, rëndësi ka që bisedat e nisura të vazhdojnë përtej kësaj mbrëmjeje dhe të shndërrohen në projekte, investime dhe partneritete konkrete.

Ministri Jagxhiu falënderoi Ambasadën e Republikës së Kroacisë, European Investors Council dhe të gjithë pjesëmarrësit për këtë mundësi të vlefshme për të afruar më tej komunitetet e biznesit dhe teknologjisë të Kosovës dhe Kroacisë.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors