Ministri Jagxhiu në hapje të edicionit të 11-të Software Freedom Kosova

Në hapje të edicionit të 11-të të Software Freedom Kosova, organizuar nga FLOSSK, Ministri i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu, foli për një çështje gjithnjë e më strategjike për të ardhmen digjitale të Kosovës: kontrollin mbi teknologjinë nga e cila varen institucionet dhe shërbimet publike.

Duke folur për fazën e re të transformimit digjital të Kosovës, ai theksoi rëndësinë e zgjerimit të shërbimeve elektronike, modernizimit të infrastrukturës qeveritare, tranzicionit në cloud, interoperabilitetit dhe përdorimit të inteligjencës artificiale.

Sipas tij, zgjedhjet teknologjike nuk duhet të krijojnë varësi afatgjata. Për Kosovën, standardet e hapura, interoperabiliteti, portabiliteti i të dhënave dhe teknologjitë open source janë të rëndësishme për të ruajtur zgjedhjen dhe fleksibilitetin teknologjik.

Në kontekstin e inteligjencës artificiale, ai nënvizoi se pyetja nuk është vetëm ku ruhen të dhënat, por edhe ku funksionojnë modelet dhe aplikacionet, mbi çfarë infrastrukture dhe sa kapacitete ka vendi për t’i kuptuar, operuar, përshtatur dhe zhvilluar ato.

Ministri Jagxhiu theksoi gjithashtu se sovraniteti digjital nuk ndërtohet vetëm përmes infrastrukturës, por mbi të gjitha përmes njerëzve, dijes dhe kapaciteteve vendore. Për këtë arsye, investimi në teknologji të hapura duhet të shoqërohet me investim në universitete, startup-e, kompani teknologjike, institucione publike dhe komunitete teknologjike.

Në këtë drejtim, ai vlerësoi kontributin e FLOSSK në zhvillimin e një kulture ku teknologjia nuk shihet vetëm si diçka që blihet dhe konsumohet, por edhe si diçka që mund të kuptohet, zhvillohet, përmirësohet dhe ndahet.

Transformimi digjital, sipas tij, nuk matet vetëm me numrin e shërbimeve që digjitalizohen, por edhe me mënyrën se si ndërtohen ato dhe me kontrollin që ruhet mbi të ardhmen digjitale të Kosovës

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors