Ditën e dytë të Global AI and Digital Summit 2026 në Seul, ministri Lulëzon Jagxhiu e nisi me një takim me Michel Kerf, Drejtor Rajonal për Transformimin Digjital, dhe Isabel Neto, Menaxhere e Praktikës për Zhvillimin Digjital, në Grupin e Bankës Botërore për rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore.
Gjatë takimit, ministri prezantoi prioritetet dhe planet e Kosovës për transformimin digjital, me fokus në modernizimin e shërbimeve publike digjitale, avancimin e qeverisjes digjitale, integrimin e inteligjencës artificiale në shërbimet dhe funksionimin e administratës publike, si dhe forcimin e sigurisë kibernetike në nivel qeveritar dhe kombëtar.
Banka Botërore është një partner i rëndësishëm i Kosovës në transformimin digjital, përmes mbështetjes së projekteve dhe iniciativave në administratën publike, shëndetësi, arsim, skema sociale, kadastër dhe transport, theksoi mes tjerash ai.
Ministri vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm dhe gatishmërinë e shprehur për mbështetje të mëtejshme, si një bazë të fortë për thellimin e partneritetit dhe realizimin e prioriteteve të Kosovës në transformimin digjital.


