Ministri Jagxhiu në mbyllje të KosovaPAR 2026: Synojmë zbatim dhe rezultate të matshme

Ministri Jagxhiu në mbyllje të KosovaPAR 2026: Synojmë zbatim dhe rezultate të matshme

Edicioni i katërt i konferencës ndërkombëtare KosovaPAR 2026 u përmbyll pas tri ditësh diskutimesh, shkëmbimi përvojash dhe idesh për të ardhmen e administratës publike, nën temën “Vlera Publike dhe e Mira e Përbashkët: Njerëzit, Besimi dhe Digjitalizimi”.

Gjatë konferencës, përfaqësues të qeverive, institucioneve ndërkombëtare, akademisë dhe shoqërisë civile diskutuan për profesionalizimin e shërbimit civil, performancën dhe llogaridhënien institucionale, si dhe rolin e transformimit digjital në përmirësimin e shërbimeve publike.

Ministri i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu, në fjalën përmbyllëse, në sesionin e fundit të konferencës, tha se mesazhi kryesor i KosovaPAR 2026 ishte i qartë: reformat kanë vlerë vetëm kur përkthehen në rezultate konkrete për qytetarët.

“Për këtë na duhen institucione që bashkëpunojnë, procese më të thjeshta, shërbime më të integruara dhe një administratë që u përgjigjet më mirë nevojave të njerëzve.

Për Kosovën, kjo është veçanërisht e rëndësishme teksa i afrohemi përmbylljes së Strategjisë aktuale për Reformën e Administratës Publike në vitin 2027 dhe përgatitjes për fazën e ardhshme. Synimi ynë është të ndërtojmë mbi arritjet e deritanishme, të adresojmë sfidat që mbeten dhe të vendosim edhe më shumë theks te zbatimi dhe rezultatet e matshme”, theksoi ministri Jagxhiu.

KosovaPAR 2026 dëshmoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtar. Përmes ndarjes së përvojave dhe zhvillimit të iniciativave të përbashkëta, mund të përshpejtohen reformat dhe të forcohen institucionet.

Përgjatë tri ditëve të KosovaPAR 2026, u zhvilluan 15 sesione, me rreth 54 folës vendorë dhe ndërkombëtarë dhe mbi 350 pjesëmarrës. Në mesin e folësve ishin përfaqësues nga Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Kroacia, Sllovenia, Franca, Portugalia, Estonia, Greqia dhe Nepali, si dhe përfaqësues të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë dhe organizatave ndërkombëtare, përfshirë OECD/SIGMA, UN Women, ReSPA dhe NDI.

Ministria e Digjitalizimit dhe Administratës Publike shpreh mirënjohjen për ministrat, përfaqësuesit e institucioneve, partnerët ndërkombëtarë, folësit, moderatorët, pjesëmarrësit, vullnetarët dhe ekipin organizues për kontributin, angazhimin dhe punën e tyre në realizimin e kësaj konference.

Suksesi i KosovaPAR 2026 do të matet me atë që do të çohet përpara nga këto diskutime: reforma të zbatuara, institucione që funksionojnë më mirë dhe shërbime publike që krijojnë vlerë reale për qytetarët.

wpChatIcon
wpChatIcon
Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors