Ministri i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu, u takua me z. John Cusey, Drejtor Ekzekutiv i Institute for Technology and Families (ITAF) nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, znj. Teresa Crawford, Kryetare e Bordit të The Foundation House, dhe znj. Abetare Gojani, Drejtoreshë Ekzekutive e kësaj organizate. Në takim u diskutua për mundësitë që ofron teknologjia në arsim, ndikimin e saj në zhvillimin e fëmijëve dhe rëndësinë që ajo t’i shërbejë të nxënit dhe mirëqenies së nxënësve.
Gjatë takimit, ministri Jagxhiu prezantoi angazhimet për digjitalizimin e arsimit, me fokus në infrastrukturën digjitale, sistemet e informacionit, përmbajtjet digjitale dhe zhvillimin e shkathtësive dhe kompetencave digjitale në të gjitha nivelet e arsimit.
Diskutimi u përqendrua edhe në nevojën që digjitalizimi të shoqërohet me politika dhe masa që nxisin përdorimin e sigurt dhe të përgjegjshëm të teknologjisë nga fëmijët, duke adresuar rreziqet që përdorimi i tepruar dhe i pakontrolluar mund të ketë për shëndetin mendor, socializimin dhe zhvillimin e tyre emocional. Z. Cusey ndau përvojat e disa shteteve amerikane që kanë ndërmarrë masa për kufizimin e përdorimit të telefonave në shkolla, si dhe përmirësimet e vërejtura në përqendrimin, rezultatet akademike dhe ndërveprimin social të nxënësve.
Këto çështje marrin rëndësi të veçantë në kontekstin e zhvillimit të shpejtë të inteligjencës artificiale dhe të punës për hartimin e Strategjisë së re të Arsimit. Teknologjia ofron mundësi të mëdha për përmirësimin e cilësisë së arsimit, por ajo duhet t’i shërbejë të nxënit dhe zhvillimit të fëmijëve, pa zëvendësuar marrëdhëniet njerëzore, socializimin dhe përvojat thelbësore për fëmijërinë, shtoi ministri.



