Sot, në kuadër të International Strategy Forum – Kosovo 2026, ministri i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu, mori pjesë në një diskutim të hapur mbi qeverisjen digjitale dhe transformimin e administratës publike.
International Strategy Forum (ISF), program i Special Competitive Studies Project (SCSP), bashkon liderë të rinj nga fusha të ndryshme të botës për të diskutuar mbi gjeopolitikën, teknologjinë dhe demokracinë.
Gjatë diskutimit, ministri Jagxhiu prezantoi progresin dhe prioritetet e Kosovës në transformimin digjital, duke u ndalur te zgjerimi i platformës eKosova, modernizimi i shërbimeve publike dhe kalimi nga procedurat tradicionale në shërbime më të thjeshta, më të integruara dhe më të qasshme për qytetarët.
Ai foli gjithashtu për rëndësinë e sovranitetit digjital, sigurinë e infrastrukturës kritike, zhvillimin e kapaciteteve institucionale dhe bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë në avancimin e agjendës digjitale të Kosovës.
Diskutimi u pasua nga pyetje të pjesëmarrësve të forumit, të rinj dhe profesionistë nga rreth 40 vende të botës, me të cilët u shkëmbyen perspektiva mbi të ardhmen e qeverisjes digjitale, rolin e teknologjisë dhe mundësitë për përfshirjen e gjeneratës së re në transformimin e sektorit publik.
Shkëmbime të tilla krijojnë mundësi për prezantimin e përvojës së Kosovës, njohjen me perspektiva ndërkombëtare dhe zhvillimin e bashkëpunimeve që kontribuojnë në avancimin e mëtejshëm digjital të vendit, shtoi ai.









