Siguria kibernetike dhe Inteligjenca Artificiale: Prezantohen angazhimet e Kosovës në konferencën e AmCham

Siguria kibernetike dhe Inteligjenca Artificiale: Prezantohen angazhimet e Kosovës në konferencën e AmCham

Në Konferencën për Reziliencën Kibernetike, me temën “Sigurimi i bizneseve në një botë të drejtuar nga IA” (Securing Business in an AI-Driven World), të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (AmCham Kosova), u bashkuan drejtues të bizneseve, operatorë të infrastrukturës kritike, përfaqësues të institucioneve publike, ekspertë dhe partnerë, për të diskutuar rëndësinë e sigurisë kibernetike dhe qëndrueshmërisë së bizneseve dhe institucioneve në epokën e inteligjencës artificiale.

Inteligjenca artificiale po krijon mundësi të mëdha për inovacion, produktivitet dhe zhvillim ekonomik, por njëkohësisht po sjell rreziqe të reja për sigurinë kibernetike. Ministri theksoi se, krahas shfrytëzimit të mundësive që ofron kjo teknologji, është e domosdoshme të forcohen kapacitetet për mbrojtjen e sistemeve digjitale nga të cilat varen gjithnjë e më shumë ekonomia dhe shoqëria jonë.

Ai paraqiti angazhimet e Kosovës për avancimin e bazës ligjore, institucionale dhe teknologjike të sigurisë kibernetike. Përmes Ligjit për Sigurinë Kibernetike dhe Strategjisë Kombëtare për Siguri Kibernetike 2023–2027, zhvillimit të kapaciteteve për monitorim dhe reagim ndaj incidenteve, si dhe investimeve në infrastrukturë dhe aftësim profesional, po forcohet qëndrueshmëria kibernetike e vendit.

Ministri theksoi se siguria kibernetike nuk është më vetëm përgjegjësi e ekipeve të teknologjisë së informacionit, por çështje strategjike për drejtuesit e institucioneve dhe bizneseve. Ndërlidhja gjithnjë e më e madhe e sistemeve digjitale bën që një incident në një sektor të ndikojë edhe në funksionimin e sektorëve të tjerë. Në këtë drejtim, ai nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve publike, bizneseve dhe operatorëve të infrastrukturës kritike për parandalimin, përballimin dhe rikuperimin nga incidentet kibernetike.

Në këtë kontekst, ministri prezantoi edhe angazhimet për përdorimin e përgjegjshëm të inteligjencës artificiale në administratën publike, integrimin e saj në platformën e-Kosova dhe shërbime të tjera publike, si dhe synimin për themelimin e Qendrës Nacionale të Ekselencës në Inteligjencë Artificiale, në bashkëpunim me sektorin privat, universitetet dhe komunitetin e teknologjisë.

Në përmbyllje, ministri theksoi synimin për ndërtimin e një ekonomie digjitale ku inovacioni dhe zhvillimi mbështeten në sisteme të sigurta dhe të besueshme, ndërsa bizneset, institucionet dhe qytetarët janë më të përgatitur për t’u përballur me rreziqet kibernetike.

wpChatIcon
wpChatIcon
Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors