Në kuadër të Forumit Ekonomik Kosovë – Poloni 2026, në tryezën “Qeverisja Digjitale dhe Ekonomia Digjitale”, Ministri i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu, prezantoi prioritetet e Kosovës në transformimin digjital, investimet e planifikuara dhe mundësitë për bashkëpunim me sektorin privat.
Ai theksoi rolin e platformës eKosova, e cila tashmë ka mbi 1.2 milion përdorues të regjistruar, mbi 1.6 miliard vizita dhe ofron më shumë se 330 shërbime elektronike. Përmes eKosova 2.0, synohet zgjerimi i numrit të shërbimeve në mbi 400, avancimi i funksionaliteteve dhe integrimi i inteligjencës artificiale, me qëllim të ofrimit të shërbimeve publike më të thjeshta, më të qasshme dhe më efikase për qytetarët dhe bizneset.
Ministri prezantoi edhe projektet dhe reformat e tjera në agjendën e transformimit digjital, përfshirë ndërveprueshmërinë e sistemeve qeveritare, identifikimin elektronik, infrastrukturën e të dhënave, cloud-in hibrid qeveritar dhe modernizimin e rrjetit qeveritar.
Vëmendje të veçantë i kushtoi inteligjencës artificiale, mundësive që ajo krijon për zhvillimin ekonomik dhe potencialit të Kosovës për zbatimin e saj në sektorë të ndryshëm. Në këtë kontekst, theksoi rëndësinë e krijimit të kushteve për përdorimin e përgjegjshëm dhe të besueshëm të kësaj teknologjie.
Ai foli gjithashtu për zhvillimin e sektorit të teknologjisë së informacionit në Kosovë, rritjen e eksporteve të shërbimeve të TIK-ut për 455% në pesë vitet e fundit, si dhe potencialin për rritje të mëtejshme përmes investimeve në infrastrukturën digjitale, zhvillimit të aftësive digjitale dhe fuqizimit të ekosistemit të inovacionit.
Forumi Ekonomik Kosovë – Poloni, në edicionin e tij të tretë, ofron një mundësi për shkëmbimin e përvojave, identifikimin e mundësive të reja për investime dhe forcimin e bashkëpunimit ekonomik e teknologjik ndërmjet dy vendeve.






