Në kuadër të forumit “The Future of Business 2026”, Ministri i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu, zhvilloi një bisedë të hapur (Fireside Chat) me Thomas Serval, bashkëthemelues dhe drejtor ekzekutiv i Baracoda, me temën “Sovraniteti i Inteligjencës Artificiale: Çfarë duhet të ndërtojë, zotërojë dhe me kë duhet të bashkëpunojë Kosova?” (AI Sovereignty: What Should Kosovo Build, Own and Partner On?).
Gjatë diskutimit u trajtua mënyra se si Kosova duhet të pozicionohet në ekonominë e re të mundësuar nga inteligjenca artificiale, cilat kapacitete duhet t’i zhvillojë vetë, cilat të dhëna dhe sisteme duhet t’i mbajë nën kontroll dhe në cilat fusha partneritetet ndërkombëtare janë thelbësore.
Ministri Jagxhiu theksoi se Kosova ka ndërtuar tashmë themele të rëndësishme të qeverisjes digjitale, përfshirë mbi 330 shërbime publike në e-Kosova, thjeshtimin e mbi 730 shërbimeve të nivelit qendror e lokal, lansimin e shërbimeve të bazuara në ngjarje jetësore, Platformën Kombëtare të Identifikimit Elektronik dhe Kuletën Digjitale, si dhe platformën e interoperabilitetit që tashmë ndërlidh mbi 50 institucione.
Sipas tij, këto kapacitete janë parakusht për përdorimin efektiv të inteligjencës artificiale, ndërsa hapi i ardhshëm është shfrytëzimi i saj për të lehtësuar qasjen në shërbime publike, për të rritur efikasitetin e administratës dhe për të përmirësuar vendimmarrjen dhe politikëbërjen përmes përdorimit më të mirë të të dhënave.
Më tej, ministri vuri në dukje rëndësinë e zhvillimit të kapaciteteve vendore në infrastrukturën kritike digjitale dhe kapitalin njerëzor, ruajtjes së kontrollit mbi të dhënat dhe sistemet kritike, si dhe krijimit të partneriteteve strategjike që mundësojnë qasje në teknologji të avancuara, infrastrukturë dhe transferim të njohurive.
Në këtë drejtim, ai shtoi se modelet e vogla të inteligjencës artificiale (Small AI), të cilat mund të hostohen lokalisht, ofrojnë mundësi konkrete për adresimin e nevojave në shërbimet publike, arsim, shëndetësi dhe sektorin privat.
“Sovraniteti digjital nuk nënkupton që të ndërtojmë gjithçka vetë, por të kemi kapacitetin dhe lirinë për të vendosur se çfarë ndërtojmë, çfarë mbajmë nën kontroll dhe me kë bashkëpunojmë. Ambicia jonë është që Kosova të mos jetë vetëm konsumuese e teknologjive të reja, por të krijojë vlerë përmes tyre dhe të avancojë sektorin e saj teknologjik në ekonominë e mundësuar nga inteligjenca artificiale”, u shpreh ministri Jagxhiu.
Në përmbyllje, u vlerësua organizimi nga Data4X dhe bashkëorganizimi nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Inovacionit për këtë forum të nivelit të lartë ekonomik e biznesor, i cili përqendrohet në rritjen e konkurrueshmërisë ekonomike, zhvillimin e prodhimit vendor, tërheqjen e investimeve dhe krijimin e vlerës përmes inovacionit dhe teknologjisë.









