BE-ja dhe Kosova mbajtën takimin e 14-të të Grupit të Posaçëm për Reformën e Administratës Publike

image6

NJOFTIM I PËRBASHKËT PËR SHTYP

24 nëntor 2026

Ministri i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu, dhe Shefi i Njësisë së Komisionit Evropian përgjegjëse për Kosovën, Jiří Plecitý, bashkëkryesuan sot në Prishtinë takimin e 14-të të Grupit të Posaçëm BE-Kosovë për Reformën e Administratës Publike (RAP). Takimi mblodhi së bashku përfaqësuesit e Bashkimit Evropian dhe të Kosovës për të diskutuar progresin drejt një administrate publike profesionale që ofron shërbime cilësore për qytetarët dhe bizneset, duke siguruar njëkohësisht llogaridhënie më të madhe dhe siguri juridike më të fortë.

Në përputhje me Raportin e Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2026 dhe zotimet për reforma të ndërmarra nga Kosova në kuadër të Planit të Rritjes të BE-së dhe Agjendës së saj të Reformave, BE-ja inkurajoi Kosovën që të përshpejtojë zbatimin efikas të Strategjive të saj për RAP dhe Menaxhimin e Financave Publike (MFP). BE-ja gjithashtu ofroi ekspertizë për të mbështetur përpjekjet në vazhdim për hartimin e gjeneratës së ardhshme të planeve të reformave të Kosovës për RAP dhe MFP. BE-ja nënvizoi rëndësinë e zhvillimit të konsultimeve të rregullta me publikun dhe shoqërinë civile gjatë gjithë procesit të hartimit dhe zbatimit të këtyre reformave.

Duke iu referuar kornizës së reformuar ligjore për shërbimin publik të Kosovës, përfaqësuesit e BE-së theksuan rëndësinë e adresimit të sfidave të vazhdueshme, në veçanti nevojën për shfrytëzimin e plotë të sistemit të centralizuar të rekrutimit për plotësimin e vendeve të lira të punës në shërbimin publik, zvogëlimin e mëtejshëm të numrit të ushtruesve të detyrës në pozita drejtuese dhe përfundimin e hapave të nevojshëm për zbatimin e plotë të reformës së pagave.

BE-ja mirëpriti progresin në zbatimin e agjendës digjitale dhe strategjisë së qeverisjes elektronike, të cilat synojnë përmirësimin e mëtejshëm të ofrimit të shërbimeve të orientuara drejt qytetarëve, si dhe progresin në kuadër të programit për zvogëlimin e barrës administrative. Gjykata Administrative e themeluar së fundmi në Prishtinë, e cila është përgjegjëse për vendimmarrjen në shkallë të parë për kontestet administrative, mund të ndihmojë në zvogëlimin e vonesave të vazhdueshme në trajtimin e lëndëve, nëse pajiset me personel të mjaftueshëm. Prezantimi i sistemit të centralizuar të rekrutimit në fillim të këtij viti konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt një shërbimi publik më profesional dhe të bazuar në meritë, por ky sistem ende duhet të vihet plotësisht në funksion.

Ministri Jagxhiu mirëpriti shkëmbimin e mendimeve me ekspertët e BE-së dhe theksoi se një administratë publike profesionale dhe efikase ndërtohet, mbi të gjitha, mbi njerëzit që punojnë në të. Ai paraqiti progresin në zbatimin e reformave të administratës publike, duke përfshirë prezantimin e rekrutimit të centralizuar, racionalizimin e agjencive, zvogëlimin e barrës administrative dhe zgjerimin e shërbimeve publike digjitale. Ai gjithashtu vuri në dukje se themelimi i Ministrisë së Digjitalizimit dhe Administratës Publike siguron një kornizë më të fortë institucionale për koordinimin e këtyre reformave. Lansimi i fundit i Platformës Kombëtare të Identifikimit Elektronik dhe Portofolit Digjital u theksua gjithashtu si një arritje e rëndësishme në forcimin e infrastrukturës publike digjitale të Kosovës dhe mundësimin e shërbimeve publike më të sigurta dhe më të qasshme.

Ministri gjithashtu prezantoi Raportin vjetor të Kosovës për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore, të publikuar në tetor 2026, i cili ofron një pasqyrë të hollësishme të gjendjes në shërbimin publik të Kosovës. Ndër të tjera, Ministri theksoi se përfaqësimi i barabartë i grave pothuajse është arritur dhe u zotua të zvogëlojë hendekun ende të konsiderueshëm në barazinë gjinore në nivel drejtues. Kosova gjithashtu ka filluar të zvogëlojë përqindjen e lartë të ushtruesve të detyrës në pozita drejtuese. Një zhvillim tjetër i rëndësishëm ishte ndërlidhja e fundit teknike e Sistemit Informativ për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore (SIMBNJ) me Sistemin e Menaxhimit të Pagave të Thesarit, e cila do të përmirësojë saktësinë e të dhënave, do të zvogëlojë procedurat manuale dhe do të forcojë menaxhimin e burimeve njerëzore në sektorin publik. Kosova është e përkushtuar ndaj zbatimit të plotë të strategjive të saj për RAP dhe MFP dhe sigurimit të arritjes së objektivave të tyre sipas planit.

Kosova dhe BE-ja, partneri i saj më i fuqishëm dhe më i besueshëm dhe ofruesi më i madh i ndihmës financiare, ranë dakord të vazhdojnë bashkëpunimin e tyre të ngushtë, përfshirë në nivel teknik, për të mbështetur zbatimin e plotë dhe sa më të shpejtë të reformave të ndërmarra, në dobi të qytetarëve të Kosovës.

Informata shtesë 

• Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit (MSA) është korniza përmes së cilës BE-ja dhe Kosova diskutojnë çështje teknike dhe të politikave rreth reformave të lidhura me BE-në. Organet e MSA-së përfshijnë Këshillin e Stabilizim-Asociimit, të asistuar nga Komiteti i Stabilizim-Asociimit, si dhe nën-komitetet e MSA-së, të cilat mbulojnë një gamë të gjerë të legjislacionit  të BE-së. Takimet e organeve të MSA-së japin kontribut të drejtpërdrejtë në raportet vjetore të Komisionit Evropian.

• Secili takim i nën-komitetit monitoron dhe shoqëron realizimet e Kosovës në reforma dhe identifikon si mundet BE-ja të ndihmojë në këtë proces. 

• Janë shtatë fusha të mbuluara përmes takimeve sektoriale të nën-komiteteve përkatëse: drejtësia, liria dhe siguria; inovacioni, shoqëria e informacionit, politikat sociale, arsimi dhe kultura; tregtia, industria, doganat dhe tatimet; tregu i brendshëm, konkurrenca, mbrojtja e konsumatorit dhe shëndetit; bujqësia, peshkataria, pylltaria, siguria ushqimore; transporti, mjedisi, energjia, ndryshimi klimatik dhe zhvillimi rajonal; çështjet ekonomike dhe financiare, statistikat. 

• Dy fusha të tjera, të mbuluara përmes takimeve të grupeve të posaçme, janë reforma në administratën publike dhe normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

• Takimet e komitetit dhe nën-komiteteve të MSA-së bashkë-kryesohen nga Komisioni Evropian dhe Kosova. Secili takim rezulton në veprime vijuese të dakorduara bashkërisht që do të ndërmerren nga autoritetet e Kosovës. Koha ndërmjet takimeve lejon zbatimin e rekomandimeve dhe veprimeve të mëvonshme të dakorduara.

Për më shumë informata, kontaktoni:

Bashkimi Evropian në Kosovë: Nikola GAON SOROKIN, nikola.gaon-sorokin@ext.eeas.europa.eu

Komisioni Evropian, selia qendrore: Alexander FRICKE, alexander.fricke@ec.europa.eu

Ministria e Digjitalizimit dhe Administratës Publike: Edmir Sejdiu, edmir.sejdiu@rks-gov.net

wpChatIcon
wpChatIcon
Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors