Siguri më e madhe për llogaritë tuaja në eKosova

Në kuadër të rritjes së sigurisë në platformën eKosova, qytetarëve u rekomandohet aktivizimi i Autentifikimit me Dy Faktorë (2FA).

Kjo do të thotë se, përveç fjalëkalimit, gjatë hyrjes në eKosova do t’ju kërkohet edhe një kod verifikimi që dërgohet në telefon ose email, duke e bërë llogarinë tuaj më të mbrojtur nga qasjet e paautorizuara.

Ju rekomandojmë që brenda dy javëve të ardhshme ta aktivizoni këtë funksion në profilin tuaj në eKosova pasi pas kësaj periudhe, 2FA do të aktivizohet automatikisht për të gjitha llogaritë.

Më poshtë gjeni njoftimin e plotë me udhëzimet për aktivizim.

e-Kosova

NJOFTIM PËR QYTETARËT

Aktivizimi i Autentifikimit me Dy Faktorë (2FA) në Platformën eKosova

Të dashur qytetarë,

Në kuadër të avancimit dhe rritjes së sigurisë në Platformën eKosova, ju rekomandojmë aktivizimin e Autentifikimit me Dy Faktorë (2FA) gjatë dy javëve të ardhshme. Ky mekanizëm ofron një nivel shtesë mbrojtjeje për profilin tuaj, duke bërë të mundur që, përveç fjalëkalimit, gjatë hyrjes në llogari të kërkohet edhe një kod unik verifikimi që dërgohet në numrin e telefonit apo email adresën tuaj.

Në këtë mënyrë, edhe në rast se fjalëkalimi juaj mund të merret apo të zbulohet nga persona të paautorizuar, qasja në llogarinë tuaj mbetet e mbrojtur përmes hapit të dytë të verifikimit. 2FA konsiderohet sot si një nga standardet më të sigurta për mbrojtjen e identitetit digjital dhe të të dhënave personale, veçanërisht në platformat që ofrojnë shërbime publike.

Duke pasur parasysh rëndësinë e të dhënave që administrohen përmes profilit tuaj në eKosova, aktivizimi i këtij funksionaliteti paraqet një masë parandaluese efektive për rritjen e sigurisë dhe besueshmërisë gjatë përdorimit të shërbimeve elektronike.

Çfarë është 2FA?

Autentifikimi me Dy Faktorë (2FA) është një metodë sigurie që:

• Mbron llogarinë tuaj nga qasjet e paautorizuara;

• Siguron që vetëm ju të mund të hyni në profilin tuaj;

• Redukton rrezikun nga keqpërdorimi i të dhënave personale.

Si të aktivizoni 2FA në eKosova?

Ndiqni hapat e mëposhtëm:

1. Kyçuni në llogarinë tuaj në platformën eKosova;

2. Klikoni mbi profilin tuaj (emri juaj në këndin e sipërm djathtas);

3. Zgjidhni opsionin “Profili”;

4. Tek “Autentikimi me dy faktorë” zgjedhni opsionin “Aktiv”;

5. Tek “Mënyra e pranimit të njoftimeve” zgjedhni njërin nga opsionet për pranim të kodit: Email&SMS, ose Email, apo SMS.

Çfarë ndodh pas aktivizimit të 2FA?

Çdo herë që do të kyçeni në llogarinë tuaj:

• Do të shënoni numrin personal dhe fjalëkalimin tuaj;

• Do të pranoni një kod unik verifikimi në telefonin tuaj (Email&SMS, ose Email, apo SMS), të cilin duhet ta vendosni për të përfunduar hyrjen në platformën eKosova.

Çfarë ndodh nëse nuk e aktivizoj 2FA në periudhën e përcaktuar dy javore?

Për të garantuar sigurinë e llogarisë tuaj dhe për të parandaluar qasjet e paautorizuara, pas periudhës dy javore:

• 2FA do të aktivizohet në mënyrë automatike për të gjitha llogaritë në Platformën eKosova.

• Nëse të dhënat e vendosura në profilin tuaj për numrin e telefonit apo email adresën janë jo të sakta, do të ju pamundësohet qasja dhe do të keni të domosdoshme të kontaktoni Qendrën e Thirrjeve të platformës eKosova.

Rekomandim i rëndësishëm

• Sigurohuni që numri juaj i telefonit të jetë i saktë dhe aktiv;

• Mos ndani kodin e verifikimit me askënd;

• Në rast ndryshimi të numrit të telefonit, përditësoni të dhënat në profilin tuaj.

Siguria e të dhënave tuaja është prioritet i përbashkët. Aktivizimi i 2FA është një hap i thjeshtë, por shumë i rëndësishëm për mbrojtjen e identitetit tuaj digjital.

Për çdo paqartësi, ju lutemi kontaktoni Qendrën e Thirrjeve të platformës eKosova:

Telefon: 038 200 30 900 ose 0800 30 900;

Email: ekosova@rks-gov.net;

Faleminderit për bashkëpunimin

Generic selectors
Exact matches only
Search in title
Search in content
Post Type Selectors