Ministri i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu, priti në takim Ambasadorin e Austrisë në Kosovë, Georg Schnetzer, ku vlerësuan partneritetin e deritanishëm dhe diskutuan për vazhdimin dhe thellimin e bashkëpunimit në disa fusha me interes të përbashkët, me theks të veçantë në sigurinë kibernetike dhe digjitalizim.
Gjatë prezantimit të portofolit të Ministrisë, ministri Jagxhiu e njoftoi ambasadorin Schnetzer edhe për planet për reformën në administratën publike, me vizion ndërtimin e një administrate moderne, atraktive dhe meritokratike, dhe digjitalizimin e saj në harmoni me agjendën e reformave të dakorduar me BE-në.
Palët diskutuan edhe për zhvillimin e ekosistemeve të e-Shëndetësisë dhe e-Arsimit, në bashkëpunim me ministritë përkatëse, për t’i kontribuar rritjes së cilësisë së shërbimeve, planifikimit dhe monitorimit më efikas, si dhe politikëbërjes së bazuar në të dhëna në këta sektorë.