Ministri i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu, mori pjesë në panelin “Siguria kibernetike në sektorin e energjisë në Kosovë: Rreziqet, rezilienca dhe prioritetet strategjike”, në kuadër të KUSA Alumni Talk, të organizuar nga Kosovo United States Alumni (KUSA) në bashkëpunim me Ambasadën Amerikane në Prishtinë.
Gjatë diskutimit, Ministri theksoi se siguria kibernetike është sot çështje e sigurisë kombëtare, e stabilitetit ekonomik dhe e besimit të qytetarëve në institucionet publike, duke nënvizuar se ajo kërkon angazhim të koordinuar në shumë fronte.
Në epokën e transformimit digjital, zhvillimi dhe siguria janë dy anë të së njëjtës medalje. Zgjerimi i shërbimeve digjitale dhe modernizimi i sektorëve kritikë, si energjia, duhet të shoqërohen me ndërtimin e kapaciteteve të forta mbrojtëse ndaj kërcënimeve kibernetike.
Ministri vlerësoi se Kosova ka bërë progres në këtë drejtim, por theksoi se synimi mbetet kalimi nga mbrojtja reaktive në një sistem të qëndrueshëm të menaxhimit proaktiv të rrezikut. Funksionalizimi i Agjencisë për Siguri Kibernetike, ndërtimi i një ekosistemi mbarëshoqëror dhe investimi në zhvillimin e kapitalit njerëzor mbeten prioritete strategjike.
Në përmbyllje, u theksua se siguria energjetike dhe ajo kibernetike janë të pandashme dhe përbëjnë shtyllat themelore të zhvillimit të qëndrueshëm dhe të sigurisë shtetërore.