Përfaqësues të Kosovës morën pjesë në lansimin e projektit të organizuar nga Agjencia e Bashkimit Evropian për Siguri Kibernetike (ENISA), i mbajtur në Athinë, Greqi.
Ky projekt i ri, i financuar nga Komisioni Evropian, synon forcimin e bashkëpunimit të drejtpërdrejtë dhe inkuadrimin e Kosovës dhe shteteve të tjera të Ballkanit Perëndimor në mekanizmat profesionalë të ENISA-s për siguri kibernetike.
Në këtë aktivitet mori pjesë edhe Këshilltari për Siguri Kibernetike i Ministrit të Digjitalizimit dhe Administratës Publike, z. Shkumbin Saneja, i cili përfaqësoi Kosovën në diskutimet dhe aktivitetet për avancimin e bashkëpunimit në këtë fushë.
Në kuadër të këtij angazhimi, përfaqësuesit e Kosovës po marrin pjesë edhe në programin vizitues të ushtrimit evropian të sigurisë kibernetike CyberEurope 2026, së bashku me shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor.
Përmes këtij projekti mundësohet qasje në mekanizmat kyç të ENISA-s, përfshirë kornizën për vlerësimin e kapaciteteve kombëtare, kornizën evropiane të aftësive në siguri kibernetike, programet e ushtrimeve kibernetike, mjetet për ngritjen e vetëdijes, metodologjitë për matjen e nivelit të sigurisë kibernetike si dhe aktivitetet e trajnimit dhe ngritjes së kapaciteteve.
Ky bashkëpunim e afron Kosovën me praktikat e ENISA-s dhe me kërkesat e Direktivës NIS2, duke kontribuar në rritjen e gatishmërisë dhe qëndrueshmërisë ndaj kërcënimeve kibernetike.
Ministria e Digjitalizimit dhe Administratës Publike mbetet e përkushtuar për thellimin e bashkëpunimit me partnerët evropianë dhe forcimin e sigurisë kibernetike në Republikën e Kosovës

