Në këtë aktivitet morën pjesë Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, Ministri i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu, si dhe Shefi i Bashkëpunimit në Zyrën e BE-së në Kosovë, Hubert Perr, së bashku me përfaqësues të institucioneve dhe partnerë ndërkombëtarë.
Në fjalën e tij, Kryeministri Kurti theksoi se administrata publike është fytyra e shtetit përballë qytetarit dhe se besimi në institucione ndërtohet përmes punës së përditshme të shërbyesve publikë, duke vlerësuar edhe rëndësinë e reformave dhe digjitalizimit si shtylla të një administrate moderne.
Ministri Jagxhiu nënvizoi se reforma e administratës publike dhe transformimi digjital duhet të ecin paralelisht, me synimin për një administratë më efikase, profesionale dhe të orientuar drejt qytetarit, duke theksuar se shërbyesit civilë mbeten motori kryesor i këtij transformimi.
Ndërsa z. Perr vlerësoi rolin thelbësor të shërbyesve civilë në funksionimin e institucioneve dhe në raportin e shtetit me qytetarët, duke theksuar se “zemra e shërbimit publik mbeten shërbyesit civilë”, si dhe rëndësinë e vazhdimit të reformave në qeverisje dhe shërbime publike.
Në përmbyllje të ceremonisë, Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Flurije Durmishi, mbajti fjalën përmbyllëse, duke falënderuar të pranishmit për pjesëmarrjen dhe kontributin në këtë ngjarje.
Kjo ditë u shënua edhe me ceremoninë e ndarjes së mirënjohjeve për shërbyesit civilë të dalluar, duke vlerësuar përkushtimin, profesionalizmin dhe kontributin e tyre në forcimin e administratës publike dhe ofrimin e shërbimeve cilësore për qytetarët.
Urime të gjithë shërbyesve publikë për punën, integritetin dhe përkushtimin e tyre në shërbim të qytetarëve dhe Republikës së Kosovës.
Dita Ndërkombëtare e Shërbimit Publik, 23 qershor, shënohet çdo vit, me aktivitete të ndryshme për të njohur dhe promovuar rolin e shërbyesve publikë në ndërtimin e institucioneve efikase, transparente dhe të orientuara drejt nevojave të qytetarëve.















