Ministri i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu, vizitoi sot finalen e Kampionatit Shtetëror të Sigurisë Kibernetike 2026, ku të rinjtë dhe të rejat e talentuara të Kosovës po sfidojnë njohuritë dhe shkathtësitë e tyre në një nga fushat më strategjike të kohës sonë.
Me këtë rast, ministri Jagxhiu theksoi se siguria kibernetike sot nuk është vetëm çështje e teknologjisë, por lidhet drejtpërdrejt me mbrojtjen e të dhënave, funksionimin e institucioneve, besimin e qytetarëve, stabilitetin demokratik dhe sigurinë kombëtare.
Ai nënvizoi se siguria kibernetike është domosdoshmëri dhe prioritet i lartë për Qeverinë e Kosovës, duke theksuar se kjo fushë kërkon angazhim shumëdimensional përmes zhvillimit të politikave dhe legjislacionit, ndërtimit të mekanizmave institucionalë, investimit në kapacitete teknologjike, ngritjes së vetëdijes dhe forcimit të bashkëpunimit kombëtar e ndërkombëtar.
Ministri Jagxhiu vlerësoi se hallka më e rëndësishme në ndërtimin e sigurisë kibernetike mbeten njerëzit. Në këtë drejtim, ai theksoi angazhimin e institucioneve, në bashkëpunim me partnerët dhe aleatët ndërkombëtarë, për ofrimin e trajnimeve të sigurisë kibernetike për ekipet në qeveri dhe infrastrukturën kritike, si dhe për krijimin e kuadrove të reja profesionale. Sipas tij, talenti, dija dhe profesionalizmi i gjeneratave të reja janë themeli i një hapësire digjitale më të sigurt për vendin.
Ministri përgëzoi Kosova Cyber Team, trajnerët, partnerët dhe të gjithë mbështetësit që po kontribuojnë në zhvillimin e ekspertëve të ardhshëm të sigurisë kibernetike.
Njëkohësisht, ai u uroi suksese finalistëve në garën për përfaqësimin e Kosovës në Kampionatin Evropian të Sigurisë Kibernetike, i cili do të mbahet në Gjermani, duke shprehur bindjen se ata do ta përfaqësojnë vendin me profesionalizëm dhe dinjitet.














