Ministri i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu, mori pjesë sot si panelist në webinarin e organizuar nga SIGMA, programi i përbashkët i Bashkimit Evropian dhe OECD-së, me temën “Qeverisja dhe Koordinimi i Shërbimeve Publike”, ku së bashku me përfaqësues të Komisionit Evropian, OECD-së dhe SIGMA-s diskutoi mbi rëndësinë e koordinimit institucional si bazë për ofrimin e shërbimeve publike moderne dhe transformimin digjital.
Gjatë prezantimit të tij, Ministri Jagxhiu ndau përvojën e Kosovës në transformimin digjital të administratës publike dhe qasjen mbarëqeveritare ndaj këtij procesi. Ai prezantoi vizionin dhe iniciativat kryesore që po zbatohen, përfshirë zhvillimin e eKosova 2.0, shërbimet e bazuara në ngjarje jetësore, qendrat e integruara të shërbimeve, Kornizën Kombëtare të Interoperabilitetit, platformën për menaxhimin e metadatave dhe Katalogun Kombëtar të të Dhënave, tranzicionin drejt infrastrukturës cloud, si dhe integrimin e Inteligjencës Artificiale në shërbimet publike.
Ministri Jagxhiu theksoi se suksesi i transformimit digjital nuk varet vetëm nga teknologjia, por mbi të gjitha nga qeverisja efektive, koordinimi ndërinstitucional dhe ndarja e përgjegjësive. Për këtë arsye, themelimi i Ministrisë së Digjitalizimit dhe Administratës Publike ka krijuar një momentum të ri për udhëheqjen dhe koordinimin e reformave, duke mundësuar një qasje më të integruar dhe më të qëndrueshme në modernizimin e administratës publike.
Sipas tij, transformimi digjital nuk është vetëm digjitalizim i proceseve ekzistuese; ai është një mundësi për të riorganizuar mënyrën se si institucionet bashkëpunojnë, si përdorin të dhënat dhe si ndërtojnë shërbime më të thjeshta, më të shpejta dhe më të orientuara drejt nevojave të qytetarëve dhe bizneseve.






