Sot, Ministri Lulëzon Jagxhiu, nënshkroi vendimin për aprovimin e Manualit për Zvogëlimin e Barrës Administrative për Qytetarët dhe Bizneset, i cili vendos një qasje të unifikuar për identifikimin, rishikimin dhe thjeshtimin e procedurave administrative.
Zvogëlimi i barrës administrative nuk nënkupton vetëm heqjen e procedurave të panevojshme. Ai nënkupton rishikimin e mënyrës se si ofrohet një shërbim, eliminimin e kërkesave të panevojshme, reduktimin e dokumentacionit dhe hapave administrativë, si dhe riinxhinierimin e proceseve përpara se ato të digjitalizohen.
Rezultatet e arritura gjatë tre viteve të fundit tregojnë se ky proces tashmë ka dhënë rezultate konkrete: 120 shërbime të nivelit qendror dhe rreth 750 shërbime të nivelit lokal janë thjeshtuar, ndërsa 107 shërbime të panevojshme dhe pa bazë ligjore janë eliminuar.
Me aprovimin e këtij Manuali, ky proces merr një metodologji të standardizuar. Çdo procedurë do të vlerësohet në aspektin e bazës ligjore, domosdoshmërisë dhe proporcionalitetit, me qëllim që kërkesat dhe hapat që nuk krijojnë vlerë për qytetarin apo biznesin të eliminohen.
Kjo qasje është veçanërisht e rëndësishme në procesin e digjitalizimit. Shërbimi publik duhet të thjeshtohet fillimisht dhe më pas të digjitalizohet, në mënyrë që teknologjia të mos e zhvendosë burokracinë nga sporteli në ekran, por ta eliminojë atë.
Në praktikë, kjo do të thotë më pak dokumente për t’u mbledhur, më pak sportele dhe hapa për t’u ndjekur, më pak kohë dhe kosto për qytetarët dhe bizneset, si dhe shërbime më të shpejta dhe më të qasshme.
Zvogëlimi i barrës administrative dhe thjeshtimi i shërbimeve publike po avancojnë nga një proces reformues në një qasje të standardizuar për administratën publike.
Ky manual u perpilua me mbështetje të OECD Sigma