Racionalizimi përbën një nga objektivat kryesore të Reformës së Administratës Publike, të përcaktuar në Strategjinë e Reformës së Administratës Publike (SRAP) 2022–2027, Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Agjendën e Reformave të dakorduara ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Komisionit
Evropian.
Në kuadër të përmirësimit të organizimit të administratës publike dhe forcimit të koordinimit institucional, është mbajtur një punëtori dyditore për racionalizimin e agjencive, me mbështetje të OECD/SIGMA.
Gjatë punëtorisë, grupi punues, së bashku me përfaqësuesit e ministrive të përfshira në këtë fazë, shqyrtoi të dhënat dhe analizat e institucioneve përkatëse. Këto të dhëna ofruan një pasqyrë më të detajuar të gjendjes ekzistuese dhe ndihmuan në përcaktimin e hapave për finalizimin e procesit të racionalizimit.
Analizat u shqyrtuan në përputhje me Ligjin për Organizimin dhe Funksionalizimin e Administratës Shtetërore dhe Agjencive të Pavarura (LOFASHAP), si dhe me kërkesat e acquis të Bashkimit Evropian. Gjithashtu, u prezantuan praktika nga vendet e BE-së, të cilat mund të shërbejnë si referencë në vlerësimin e opsioneve për racionalizimin e agjencive dhe përshtatjen e tyre me kontekstin e Kosovës.
Punëtoria kontribuoi në avancimin e këtij procesi përmes shkëmbimit të të dhënave, analizave dhe praktikave institucionale, me synim identifikimin e zgjidhjeve më të përshtatshme dhe finalizimin e kësaj faze të reformës.