Kosova dhe Gjermania bashkërendojnë hapat për arkitekturën e re të qeverisjes digjitale

Kosova dhe Gjermania bashkërendojnë hapat për arkitekturën e re të qeverisjes digjitale

Sot, në kuadër të konsultimeve ndërqeveritare Kosovë–Gjermani për bashkëpunim zhvillimor, Ministri i Digjitalizimit dhe Administratës Publike zhvilloi një takim me përfaqësues të Ministrisë Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ), Ambasadës Gjermane dhe GIZ-it, ku u diskutua për progresin dhe prioritetet e Kosovës në zvogëlimin e barrës administrative dhe transformimin digjital të administratës publike.

Qeveria gjermane, përmes projektit të bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe të zbatuar nga GIZ-i, ka qenë një nga mbështetësit kryesorë të programit për zvogëlimin e barrës administrative. Në kuadër të këtij bashkëpunimi, përveç digjitalizimit të një numri të madh shërbimesh administrative, janë zhvilluar sisteme të reja digjitale për menaxhimin e proceseve të licencimit të profesioneve të lira, gjeodetëve, autoshkollave, arkitektëve, inxhinierëve dhe profesionistëve shëndetësorë.

Janë zhvilluar gjithashtu sisteme për njohjen e diplomave, shërbimet e punësimit dhe menaxhimin e rasteve, ndërsa në Administratën Tatimore të Kosovës është duke u testuar asistenti i parë digjital i bazuar në inteligjencë artificiale.

Përtej digjitalizimit, programi ka kontribuar në thjeshtimin e mbi 730 shërbimeve administrative në nivel qendror dhe lokal, si dhe ka mbështetur fillimin e zbatimit të një prej reformave më të rëndësishme në ofrimin e shërbimeve publike: integrimin e shërbimeve rreth ngjarjeve jetësore të qytetarëve, duke filluar me pilotimin e shërbimeve të ndërlidhura me lindjen e fëmijës.

Gjatë takimit u diskutua edhe për hapat e mbetur për integrimin e sistemeve të zhvilluara me platformën eKosova, si dhe për mundësitë e vazhdimit të mbështetjes nga Qeveria Gjermane në vitet në vijim. Synimi është që sistemet digjitale të mos funksionojnë të izoluara, por të jenë pjesë e një arkitekture të integruar dhe të qëndrueshme të qeverisjes digjitale, duke mundësuar procese të plota digjitale dhe shërbime më të thjeshta e më efikase për qytetarët dhe bizneset.

Në këtë kontekst, Ministri prezantoi edhe prioritetet më të gjera për transformimin digjital, përfshirë lansimin e platformës kombëtare të identifikimit elektronik (eID), e cila do të mundësojë autentikimin e fortë elektronik, nënshkrimin dhe vulën elektronike, si dhe kuletën digjitale. Këto janë elemente kyçe për avancimin drejt shërbimeve publike plotësisht digjitale.

Në fund, Ministri falënderoi Qeverinë Gjermane dhe GIZ-in për mbështetjen e vazhdueshme dhe kontributin e tyre konkret në realizimin e këtyre reformave, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit për modernizimin e administratës publike, forcimin e kapaciteteve institucionale dhe avancimin e transformimit digjital në Kosovë.

wpChatIcon
wpChatIcon
Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors