Gjatë qëndrimit zyrtar në Republikën e Kroacisë, Ministri i Digjitalizimit dhe Administratës Publike zhvilloi takime me Rrjetin Akademik dhe Kërkimor të Kroacisë (CARNET) dhe Qendrën Kompjuterike Universitare (SRCE), dy institucione me rol të rëndësishëm në zhvillimin e infrastrukturës dhe shërbimeve digjitale për arsimin, shkencën dhe kërkimin shkencor.
Në fokus të diskutimeve ishte përvoja e Kroacisë në digjitalizimin e arsimit, përfshirë sistemet e e-Arsimit dhe e-Universitetit, infrastrukturën digjitale për shkollat dhe universitetet, sistemet kombëtare akademike të informacionit, si dhe shërbimet digjitale dhe mbështetjen për institucionet arsimore.
CARNET ka qenë mbështetës i rëndësishëm gjatë themelimit të rrjetit kërkimor dhe akademik të Kosovës (KREN) dhe ndërlidhjes së tij në rrjetin pan-evropian GÉANT, e mbetet model dhe partner kyç edhe në zhvillimin e mëtejshëm të tij në kuadër të MDAP. Ministri diskutoi gjithashtu për sigurinë kibernetike dhe për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet CERT-it nacional të Kroacisë që funksionon në kuadër të CARNET dhe CERT-it nacional të Kosovës.
Digjitalizimi i arsimit është një nga fushat ku infrastruktura, shërbimet elektronike dhe zhvillimi i kapaciteteve digjitale duhet të ecin së bashku. Bashkëpunimi dhe shkëmbimi i përvojave me Kroacinë ndihmon në zbatimin e iniciativave dhe reformave në këtë fushë në Republikën e Kosovës.