Estonia është një nga shembujt më të suksesshëm globalë të transformimit digjital të qeverisjes, ndërsa përvoja dhe bashkëpunimi me institucionet estoneze kanë qenë burim i rëndësishëm frymëzimi dhe orientimi për strategjinë e transformimit digjital të Kosovës.
Në kuadër të Global AI and Digital Summit 2026 në Seul, ministri Lulëzon Jagxhiu zhvilloi një takim me z. Priit Turk, Drejtor i Përgjithshëm për Diplomacinë Digjitale dhe Kibernetike në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Estonisë, dhe Dr. Nele Leosk, kandidate e Estonisë për Drejtoreshë të Byrosë së Zhvillimit të Telekomunikacionit në Unionin Ndërkombëtar të Telekomunikacionit (ITU).
Gjatë takimit, u shkëmbyen pikëpamje mbi progresin dhe prioritetet e Kosovës në transformimin digjital, duke u ndalur edhe te përvoja e Estonisë në qeverisjen digjitale, sigurinë kibernetike dhe zbatimin e teknologjive të reja në sektorin publik. Ministri Jagxhiu prezantoi planet për zgjerimin dhe modernizimin e shërbimeve publike digjitale, avancimin e ndërlidhjes së sistemeve institucionale dhe integrimin e inteligjencës artificiale në administratën publike.
Vazhdimi i bashkëpunimit dhe shkëmbimit të përvojave me Estoninë mbetet i rëndësishëm për avancimin e transformimit digjital të Kosovës, me synimin që përvojat dhe praktikat më të mira të përkthehen në zgjidhje inovative dhe shërbime publike më të qasshme, më efikase dhe më të sigurta për qytetarët dhe bizneset.



