Hapen negociatat për integrimin e Kosovës në zonën EU Roam Like at Home të Bashkimit Evropian

Ministri i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu, mori pjesë në takimin ministror të vendeve të Ballkanit Perëndimor me Komisionin Evropian, ku u diskutua avancimi i procesit për integrimin e rajonit në zonën EU Roam Like at Home.

Gjatë takimit, u mirëprit vendimi i Këshillit të Bashkimit Evropian për autorizimin e hapjes së negociatave me vendet e Ballkanit Perëndimor, një hap i rëndësishëm drejt heqjes së tarifave të roamingut ndërmjet Kosovës dhe vendeve të BE-së.

Ministri Jagxhiu theksoi gatishmërinë dhe përkushtimin e Kosovës për të avancuar këtë proces sa më shpejt, duke nënvizuar se institucionet e vendit tashmë kanë filluar përgatitjet për përmbushjen e kërkesave që lidhen me zbatimin e rregullativës së Bashkimit Evropian për roamingun.

Ai bëri të ditur se Projektligji i ri për Komunikimet Elektronike, i cili transpozon Kodin Evropian të Komunikimeve Elektronike dhe krijon bazën për zbatimin e rregullave të BE-së për roamingun, është hartuar dhe së shpejti do t’i nënshtrohet konsultimit publik. Paralelisht, ARKEP-i ka nisur përgatitjen e legjislacionit sekondar të nevojshëm për zbatimin e plotë të kësaj kornize.

Integrimi në zonën EU Roam Like at Home do t’u mundësojë qytetarëve të Kosovës që udhëtojnë në vendet e BE-së për punë, studime, turizëm apo vizita familjare të komunikojnë pa kosto shtesë roamingu. Përfitime do të ketë edhe diaspora kosovare, e cila gjatë vizitave në Kosovë do të mund të përdorë shërbimet e telefonisë mobile pa tarifa roamingu.

Zgjerimi i zonës EU Roam Like at Home në Kosovë dhe në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor përbën një shembull konkret të përfitimeve që sjell integrimi gradual në Tregun e Përbashkët të Bashkimit Evropian, duke ofruar përfitime të prekshme për qytetarët edhe para anëtarësimit të plotë.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors