Ministria e Digjitalizimit dhe Administratës Publike mori pjesë në punëtorinë për Kornizën Evropiane të Aftësive në Sigurinë Kibernetike (ECSF) dhe në Konferencën e 4-t Evropiane për Aftësitë në Sigurinë Kibernetike.
Ngjarja mblodhi politikëbërës, autoritete të sigurisë kibernetike, përfaqësues të industrisë, akademisë dhe institucioneve të trajnimit nga vende të ndryshme të Evropës, për të diskutuar një nga sfidat kryesore të epokës digjitale: zhvillimin e profesionistëve të kualifikuar në sigurinë kibernetike, të aftë për të kontribuar në qëndrueshmërinë dhe transformimin digjital të Evropës.
Në kuadër të programit të dedikuar të mbështetjes së Agjencisë së Bashkimit Evropian për Sigurinë Kibernetike (ENISA) për Ballkanin Perëndimor, përfaqësuesit e Ministrisë diskutuan për zbatimin e Kornizës Evropiane të Aftësive në Sigurinë Kibernetike, zhvillimin e profesioneve në këtë fushë dhe mënyrat e forcimit të kapaciteteve kombëtare për zhvillimin e fuqisë punëtore në sigurinë kibernetike.
Punëtoria dhe konferenca theksuan rëndësinë e politikave të bazuara në të dhëna, njohurive të besueshme mbi nevojat e tregut të punës dhe bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet institucioneve publike, industrisë dhe akademisë, për të adresuar mungesën e profesionistëve të kualifikuar në këtë fushë.
Mbetemi të përkushtuar në avancimin e kapaciteteve të Kosovës në sigurinë kibernetike, përafrimin me kornizat dhe praktikat më të mira evropiane, si dhe zhvillimin e profesionistëve që do të kontribuojnë në një të ardhme digjitale më të sigurt dhe më të qëndrueshme.
Falënderojmë @ENISA, @HAUS – Finnish Institute of Public Management dhe partnerët për mbështetjen e vazhdueshme dhe presim bashkëpunimin e mëtejshëm rajonal përmes nismave që synojnë zhvillimin e aftësive dhe kapaciteteve profesionale në sigurinë kibernetike.



