Në Global AI and Digital Summit 2026, të organizuar nga Banka Botërore dhe që ka nisur sot në Seul të Republikës së Koresë, ministri i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu, po përfaqëson Republikën e Kosovës, në prani të ministrave, përfaqësuesve të qeverive dhe institucioneve ndërkombëtare, si dhe ekspertëve të teknologjisë dhe inteligjencës artificiale.
Në ditën e parë të samitit, ministri Jagxhiu mori pjesë në Takimin Ministror për Inteligjencën Artificiale dhe Digjitalizimin, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga 59 shtete. Takimi u kryesua nga Bae Kyung-Hoon, zëvendëskryeministër dhe ministër i Shkencës dhe TIK-ut i Republikës së Koresë, dhe Sangbu Kim, zëvendëspresident për Digjitalizimin dhe Inteligjencën Artificiale në Grupin e Bankës Botërore.
Gjatë takimit, ministri prezantoi agjendën dhe objektivat e Republikës së Kosovës për transformimin digjital, me fokus në modernizimin e administratës publike, zgjerimin e shërbimeve digjitale dhe integrimin e inteligjencës artificiale në shërbimet publike. Takimi ofroi mundësi për shkëmbimin e pikëpamjeve me homologë nga vende të ndryshme mbi prioritetet, sfidat dhe mundësitë që sjell zhvillimi teknologjik.
Përvoja e vendeve të tjera dhe bashkëpunimi me Bankën Botërore dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë janë thelbësorë për avancimin e transformimit digjital dhe ndërtimin e një administrate publike më moderne, më efikase dhe më të orientuar drejt nevojave të qytetarëve.
Inteligjenca artificiale nuk duhet të shërbejë vetëm për t’i përshpejtuar proceset ekzistuese, por edhe për të rimenduar dhe avancuar mënyrën se si funksionon qeveria dhe si u shërben qytetarëve, tha ai.









