Ministria e Digjitalizimit dhe Administratës Publike përfaqësoi Kosovën në Konferencën e Tretë të Procesit Pall Mall, e cila u mbajt në kuadër të Forumit të Paqes në Paris 2026.
Konferenca u organizua nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Francës, në bashkëpunim me Zyrën për Punë të Jashtme, Komonuelth dhe Zhvillim të Mbretërisë së Bashkuar (FCDO), duke mbledhur përfaqësues të shteteve, industrisë dhe shoqërisë civile.
Dita e parë e konferencës u përqendrua në progresin e zbatimit të Kodit të Praktikës së Procesit Pall Mall për Shtetet, të miratuar në vitin 2025, qasjet praktike për udhëzimet e reja për industrinë, rolin e shoqërisë civile në rritjen e ndërgjegjësimit dhe llogaridhënies, si dhe zhvillimet e fundit në tregun e kapaciteteve komerciale për ndërhyrje kibernetike.
Diskutimet trajtuan gjithashtu ndikimin e inteligjencës artificiale në shkallën, qasjen dhe sofistikimin e këtyre kapaciteteve, si dhe rëndësinë e ngritjes së kapaciteteve për të shndërruar zotimet në veprime konkrete.
Udhëzimet për Industrinë u bëjnë thirrje kompanive që veprojnë në ekosistemin e ndërhyrjeve kibernetike të ushtrojnë veprimtarinë e tyre në përputhje me ligjin dhe parimet e përgjegjësisë, të kryejnë vlerësime të vazhdueshme të ndikimit në të drejtat e njeriut, të menaxhojnë rreziqet gjatë gjithë ciklit jetësor të produkteve dhe kapaciteteve të tyre, si dhe të sigurojnë mekanizma efektivë të monitorimit dhe mbikëqyrjes. Ato theksojnë gjithashtu nevojën për pezullimin e shitjeve, transferimeve ose mbështetjes kur ekziston rrezik serioz për keqpërdorim ose shkelje të të drejtave të njeriut.
Në ditën e dytë, në kuadër të Forumit të Paqes në Paris, diskutimet e nivelit të lartë trajtuan sfidën globale të kërcënimeve kibernetike të nxitura nga tregu dhe rolin e Procesit Pall Mall në promovimin e praktikave të përgjegjshme.
Konferenca përfundoi me lansimin e Udhëzimeve për Industrinë dhe një thirrje për angazhim më të fuqishëm të sektorit privat në zbatimin e tyre.
Kosova mbetet e përkushtuar ndaj praktikave të përgjegjshme shtetërore dhe industriale, forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar, mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe krijimit të një mjedisi digjital më të sigurt dhe të mbrojtur.




