Transparenca, Qasja në Informacion dhe të Drejtat në Administratën Publike Moderne
Paneli i radhës i konferencës ndërkombëtare KosovaPAR 2026 iu kushtua transparencës, qasjes në informacion dhe mbrojtjes së të drejtave në administratën publike moderne.
Panelin e moderoi Pajtim Gashi, Drejtor i Programit në Institutin Kombëtar Demokratik.
Në panel kontribuuan Krenare Sogojeva-Dermaku, Komisionere në Agjencinë e Informimit dhe Privatësisë së Republikës së Kosovës; Besnik Dervishi, Komisioner për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale të Republikës së Shqipërisë; Lirim Bllaca, Drejtor Operativ në TRECCERT; Kaltrina Haxha, Drejtore e Përputhshmërisë dhe Oficere e Mbrojtjes së të Dhënave në ProCredit Bank Kosova; dhe Rovena Sulstarova, Drejtore e Përgjithshme për Qasje në Informacion në Zyrën e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale në Shqipëri.
Diskutimet u përqendruan në rëndësinë e transparencës institucionale, qasjes në informacionin publik dhe mbrojtjes së të dhënave personale në procesin e transformimit digjital. U theksua nevoja për zbatim efektiv të kornizës ligjore, publikim të informacionit të përditësuar dhe të kuptueshëm për qytetarët, si dhe integrim të privatësisë dhe sigurisë që në fazën e projektimit të sistemeve digjitale.
Gjithashtu, u diskutua për rëndësinë e besimit të qytetarëve në shërbimet publike digjitale, mbikëqyrjen njerëzore në përdorimin e inteligjencës artificiale dhe nevojën për ngritjen e kapaciteteve profesionale në institucionet publike.
Transparenca, mbrojtja e të dhënave dhe qasja e lehtë në informacion mbeten elemente thelbësore për ndërtimin e një administrate publike të hapur dhe të besueshme.




