Lansohet Platforma për Çështje të Komuniteteve

Dje u lansua Platforma për Çështje të Komuniteteve, në prani të Kryeministrit Albin Kurti, Ministrit të Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu, Zëvendëskryeministrit Damka, Ministrit Rashiq, Ambasadorit Hargreaves dhe përfaqësuesve të komuniteteve, institucioneve, partnerëve dhe shoqërisë civile.

Në fjalën e tij, Ministri Jagxhiu tha se transformimi digjital ka vlerë kur zgjidh probleme konkrete. Në këtë rast, platforma synon që informacionin, mundësitë dhe mekanizmat institucionalë për komunitetet t’i bëjë më të qasshme, më të qarta dhe më të lehta për t’u përdorur.

Platforma krijon një pikë të vetme digjitale, të qasshme nga telefoni dhe kompjuteri dhe në gjashtë gjuhë: shqipe, serbe, angleze, rome, boshnjake dhe turke.

Por nuk bëhet fjalë vetëm për një hapësirë ku mblidhen informacione. Përmes saj, organizatat e shoqërisë civile mund të aplikojnë online dhe të përcjellin statusin e aplikimeve të tyre, ndërsa procesi i shqyrtimit dhe vendimmarrjes evidentohet në sistem. Të rinjtë mund të orientohen drejt mundësive për punësim dhe zhvillim, ndërsa qytetarët mund të gjejnë më lehtë informacion për mekanizmat e raportimit të diskriminimit dhe institucionet përkatëse.

Ministri theksoi se lansimi është vetëm fillimi. Platforma duhet të përdoret, të testohet në praktikë dhe të zhvillohet vazhdimisht në bazë të nevojave dhe sugjerimeve të komuniteteve.

Digjitalizimi ka kuptim vetëm atëherë kur e bën ndërveprimin e qytetarëve me institucionet më të thjeshtë, më të qartë dhe më të qasshëm.

Në fund, Ministri Jagxhiu falënderoi për bashkëpunimin Zyrën për Çështje të Komuniteteve, ASHI-në, si dhe partnerët IOM, Konfederatën Zvicerane dhe Ambasadën Britanike, të cilët kanë kontribuar në zhvillimin dhe funksionalizimin e kësaj platforme.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors