Sot, në konferencën “Siguria Kibernetike dhe Qëndrueshmëria Nacionale në Kosovë”, të organizuar nga Ambasada e Suedisë dhe Këshilli Nordik i Ministrave, ministri i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu, foli për rolin e sigurisë kibernetike dhe transformimit digjital në forcimin e qëndrueshmërisë kombëtare.
Ai theksoi se kërcënimet kibernetike sot shkojnë përtej sulmeve ndaj sistemeve kompjuterike. Ato mund të ndërpresin shërbimet publike, të cenojnë furnizimin me energji, telekomunikimet, shërbimet financiare dhe shëndetësore, si dhe të ndikojnë në besimin e qytetarëve ndaj institucioneve. Këto kërcënime shpesh ndërthuren edhe me dezinformimin dhe forma të tjera të kërcënimeve hibride.
Ministri nënvizoi se qëndrueshmëria kibernetike nuk nënkupton vetëm parandalimin e sulmeve, por edhe aftësinë për t’u përballur me to, për të garantuar vazhdimësinë e shërbimeve esenciale dhe për t’u rikuperuar sa më shpejt.
Në këtë kontekst, ai veçoi rolin e transformimit digjital, duke theksuar se platforma eKosova, me mbi 1.2 milion përdorues të regjistruar dhe më shumë se 330 shërbime digjitale, u mundëson qytetarëve qasje në shërbime publike pavarësisht vendndodhjes së tyre. Megjithatë, rritja e mbështetjes në sistemet digjitale e shton edhe përgjegjësinë për sigurinë dhe qëndrueshmërinë e tyre.
Sa i përket kapaciteteve të Kosovës në këtë fushë, ministri theksoi se janë vendosur baza të rëndësishme ligjore dhe institucionale, ndërsa po avancohen edhe kapacitetet teknologjike, përfshirë Qendrën e Operacioneve të Sigurisë Kibernetike të Qeverisë (SOC) dhe Laboratorin e Sigurisë Kibernetike (Cyber Lab). Ai ritheksoi rëndësinë e forcimit të koordinimit institucional, reagimit ndaj incidenteve dhe gatishmërisë për të garantuar vazhdimësinë e shërbimeve në situata krize.
Një tjetër çështje e theksuar ishte nevoja për një qasje gjithëpërfshirëse, ku institucionet publike, operatorët e infrastrukturës kritike, bizneset, universitetet, shoqëria civile dhe qytetarët kontribuojnë në ndërtimin e qëndrueshmërisë kombëtare. Sipas ministrit, bashkëpunimi ndërmjet këtyre aktorëve duhet të ndërtohet dhe të testohet para se të ndodhë një krizë.
Ai gjithashtu vuri në pah rëndësinë e investimit në kapacitetet njerëzore, zhvillimin e ekspertizës vendore, trajnimet e vazhdueshme dhe bashkëpunimin me industrinë dhe universitetet, veçanërisht në një kohë kur konkurrenca ndërkombëtare për profesionistë të sigurisë kibernetike është në rritje.
Duke iu referuar përvojës së vendeve nordike, veçanërisht të Suedisë dhe Finlandës, ministri shprehu interesimin për thellimin e bashkëpunimit dhe përkthimin e tij në veprime konkrete që kontribuojnë në forcimin e kapaciteteve dhe gatishmërisë së Kosovës.
Në përfundim, ai theksoi se synimi është ndërtimi i një shteti digjital të sigurt dhe të qëndrueshëm, me institucione të afta të përballojnë krizat, të garantojnë vazhdimësinë e shërbimeve esenciale dhe të ruajnë besimin e qytetarëve.





