Sot u diskutua për thjeshtimin dhe rritjen e transparencës së procesit të regjistrimit të fëmijëve në kopshte publike, në kuadër të reformës së shërbimeve publike të bazuara në ngjarje jetësore.
Në punëtorinë për validimin e specifikimeve teknike për modulin e regjistrimit në kopshte, Ministria e Digjitalizimit dhe Administratës Publike, së bashku me institucionet përkatëse dhe partnerët, shqyrtoi procesin aktual dhe modelin e propozuar për përmirësimin e tij.
Ministri Lulëzon Jagxhiu theksoi se synimi është që procesi i aplikimit të jetë më i qartë, më transparent dhe më i lehtë për prindërit, përmes procedurave të përcaktuara qartë dhe reduktimit të barrës administrative.
Ai nënvizoi se ky modul është pjesë e një qasjeje më të gjerë për integrimin e shërbimeve publike sipas nevojave të qytetarëve në momente të rëndësishme të jetës, duke e bërë ndërveprimin me institucionet më të thjeshtë dhe më efikas.
Ministri Jagxhiu falënderoi Bashkimin Evropian dhe Gjermaninë për mbështetjen përmes projektit të zbatuar nga GIZ, si dhe të gjitha institucionet e përfshira në këtë proces.
Reforma e administratës publike synon rezultate konkrete: shërbime më të qasshme, procedura më të thjeshta dhe më shumë transparencë për qytetarët.









