Ministri i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu, priti në takim Kryetarin e Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, për të diskutuar bashkëpunimin në fushën e digjitalizimit dhe avancimin e zgjidhjeve inovative në nivel lokal.
Gjatë takimit u diskutua në veçanti projekti “Smart City”, që bashkëfinancohet nga MDAP dhe Komuna e Gjilanit, e i cili ka për qëllim menaxhimin më të lehtë e më efikas të hapësirave dhe shërbimeve publike, përfshirë menaxhimin inteligjent të trafikut, parkingjeve e mbeturinave, ndër të tjera.
Këto iniciativa synojnë rritjen e efikasitetit të shërbimeve komunale, optimizimin e përdorimit të burimeve publike dhe përmirësimin e cilësisë së jetës për qytetarët përmes aplikimit të teknologjive moderne.
Palët shprehën gatishmërinë për të thelluar bashkëpunimin edhe në fusha të tjera të transformimit digjital, në shërbim të qytetarëve.



