Ministri i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, z. Lulëzon Jagxhiu, ka pritur në takim Guvernatorin e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), z. Ahmet Ismaili, me të cilin diskutoi për bashkëpunimin ndërinstitucional dhe zhvillimet kryesore në digjitalizimin dhe modernizimin e sistemit financiar të Kosovës.
Një nga temat kryesore të diskutimit ishte sistemi TIPS Clone për pagesa të menjëhershme, i cili po implementohet nga BQK-ja, fillimisht për pagesat ndërmjet qytetarëve. Ky sistem përfaqëson një hap të rëndësishëm në modernizimin e infrastrukturës së pagesave në vend, duke mundësuar transfere
ndërmjet llogarive bankare brenda pak sekondash, 24 orë në ditë, 7 ditë në javë, 365 ditë në vit.
Për qytetarët, kjo nënkupton pagesa dhe transfere më të shpejta e më të përshtatshme, ndërsa për bizneset krijon mundësi për qarkullim më të shpejtë të mjeteve, menaxhim më të mirë të likuiditetit dhe zhvillim të mëtejshëm të tregtisë elektronike dhe inovacionit financiar.
Në nivel të ekonomisë, pagesat e menjëhershme krijojnë parakushte për zvogëlimin e përdorimit të parasë së gatshme, rritjen e formalizimit dhe zhvillimin e ekonomisë digjitale.
Me rëndësi të veçantë në këtë drejtim është edhe ndërlidhja e kësaj infrastrukture me shërbimet publike digjitale. Integrimi i pagesave të menjëhershme me eKosova dhe sistemet e tjera qeveritare do të mundësojë që pagesa dhe konfirmimi i saj të realizohen në kohë reale, duke krijuar mundësi që gjithnjë e më shumë shërbime publike të përfundohen tërësisht online, pa pritje dhe pa hapa shtesë
administrativë.
TIPS Clone gjithashtu e afron infrastrukturën financiare të Kosovës me standardet dhe infrastrukturën evropiane të pagesave dhe, së bashku me procesin e integrimit në SEPA, përbën një hap të rëndësishëm drejt integrimit më të thellë ekonomik dhe financiar të Kosovës me Bashkimin Evropian.
Ministri Jagxhiu e përgëzoi Guvernatorin Ismaili për punën që BQK-ja po bën në modernizimin e infrastrukturës financiare dhe të pagesave në Kosovë, si dhe për reformat që po avancohen në këtë drejtim.
Gjatë takimit u diskutua gjithashtu për forcimin e bashkëpunimit në interoperabilitetin e sistemeve të BQK-së dhe Qeverisë, shkëmbimin e sigurt të të dhënave, identifikimin elektronik dhe sigurinë kibernetike.
Ministri Jagxhiu dhe Guvernatori Ismaili u dakorduan që ekipet e të dy institucioneve të intensifikojnë bashkëpunimin në këto fusha, përfshirë integrimin e infrastrukturës së pagesave me platformat dhe shërbimet digjitale të Qeverisë.