Sot u lansua zyrtarisht nga Banka Qendrore e Kosovës Sistemi i Pagesave të Shpejta (TIPS-K), në ceremoninë ku mori pjesë Ministri i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu, së bashku me Kryeministrin Albin Kurti, Ministrin e Financave Hekuran Murati dhe përfaqësues të institucioneve vendore e ndërkombëtare.
Lansimi i këtij sistemi shënon një hap të rëndësishëm në avancimin e transformimit digjital të vendit. Nga 23 nëntori, qytetarët dhe bizneset do të mund të transferojnë para ndërmjet llogarive në banka të ndryshme brenda pak sekondash, 24 orë në ditë, 7 ditë në javë, përfshirë fundjavat dhe festat zyrtare, me tarifa më të ulëta.
Përtej lehtësimit të pagesave të përditshme, TIPS-K krijon mundësi të reja për zhvillimin e ekonomisë digjitale, tregtisë elektronike dhe shërbimeve inovative financiare.
“Transformimi digjital nuk përfshin vetëm digjitalizimin e shërbimeve publike. Ai kërkon edhe infrastrukturë moderne financiare, që mundëson transaksione të shpejta, të sigurta dhe pa kufizime kohore, duke mbështetur një ekonomi gjithnjë e më digjitale”, u shpreh ministri Jagxhiu.









