Ministri i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu, mori pjesë në lansimin e Udhërrëfyesit për Reformën e Arsimit Digjital “Nga Qasja Digjitale te Kompetencat Digjitale”, të prezantuar së bashku me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, në partneritet me UNICEF-in në Kosovë.
Udhërrëfyesi paraqet një analizë gjithëpërfshirëse të gjendjes së kompetencave digjitale në arsimin parauniversitar dhe rekomandime konkrete për hapat e ardhshëm të transformimit digjital të arsimit.
Një nga gjetjet kryesore është nevoja për forcimin e kompetencave digjitale.
Digjitalizimi i arsimit kërkon punë në shumë drejtime paralelisht: në infrastrukturë, sisteme dhe platforma, përmbajtje digjitale, kompetenca të mësimdhënësve dhe nxënësve, siguri kibernetike, si dhe në mënyrën se si qeveriset dhe koordinohet i gjithë ky proces.
Në këtë drejtim, tashmë janë ndërmarrë hapa konkretë. 243 shkolla janë të lidhura me internet përmes KREN-it (Rrjetit Kërkimor dhe Arsimor të Kosovës), ndërsa po punohet për zgjerimin e lidhshmërisë në të gjitha shkollat, pajisjen e shkollave me tabela të mençura, zhvillimin e sistemeve moderne për menaxhimin e informatave në arsim, krijimin e përmbajtjeve digjitale cilësore dhe platformave që mbështesin mësimdhënien dhe të nxënit.
Sot, forcimi i kompetencave digjitale nënkupton domosdoshmërisht edhe zhvillimin e kompetencave për Inteligjencën Artificiale. Nxënësit dhe mësimdhënësit tashmë po e përdorin IA-në, ndaj është e nevojshme të sigurohet që ata të kenë njohuritë dhe aftësitë për ta përdorur atë në mënyrë kritike, etike, të përgjegjshme dhe të sigurt. Udhërrëfyesi rekomandon edhe zhvillimin e një kornize kombëtare për IA dhe teknologjitë e reja në arsim.
Në të njëjtën kohë, IA paraqet një mundësi që Kosova të kapërcejë më shpejt disa etapa të zhvillimit, përfshirë edhe zhvillimin dhe modernizimin e sistemit arsimor.
Me themelimin e Ministrisë së Digjitalizimit dhe Administratës Publike dhe me KREN-in tashmë në kuadër të saj, është krijuar një kapacitet institucional që mund ta mbështesë Ministrinë e Arsimit me infrastrukturë, sisteme, arkitekturë teknologjike dhe ekspertizë digjitale.
Në qendër të transformimit digjital të arsimit nuk duhet të jetë teknologjia, por nxënësi dhe mësimdhënësi. Qëllimi është që teknologjia të ndihmojë në ndërtimin e një arsimi më cilësor, më gjithëpërfshirës dhe që i përgatit të rinjtë tanë për të ardhmen.