Në hapjen e Punëtorisë për Validimin e Politikave për Inteligjencën Artificiale në Kosovë, të organizuar nga RIT Kosova me mbështetjen e Special Competitive Studies Project (SCSP), që i bëri bashkë përfaqësuesit nga qeveria, sektori publik dhe akademia, Ministri i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu, foli për qasjen dhe prioritetet e qeverisë në fushën e Inteligjencës Artificiale.
Ministri Jagxhiu theksoi se Inteligjenca Artificiale po transformon mënyrën se si mësojmë, punojmë, komunikojmë dhe qeverisim. Për Kosovën, ky transformim është domosdoshmëri për konkurrueshmërinë, sigurinë dhe pozitën e vendit tonë në ekonominë globale.
Ai tha se kjo është arsyeja që po investojmë në themelet institucionale dhe teknologjike të këtij transformimi: forcimin e interoperabilitetit dhe qeverisjes së të dhënave, standardizimin dhe rritjen e cilësisë së tyre, si dhe zhvillimin e kapaciteteve digjitale në sektorin publik. Në të njëjtën kohë, institucionet qeveritare po integrojmë Inteligjencën Artificiale në iniciativat e reja të transformimit digjital, përfshirë e-Kosova 2.0, shërbimet e integruara, proaktive dhe të personalizuara të bazuara në ngjarje jetësore dhe Agjentin Digjital në Administratën Tatimore të Kosovës.
Si vend që synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian, do ta orientojmë kornizën tonë ligjore drejt harmonizimit me Aktin e Bashkimit Evropian për Inteligjencën Artificiale, ndërkohë që do të avancojmë me Kornizën Qeverisëse për Inteligjencën Artificiale dhe udhëzuesit për përdorimin e saj në sektorin publik.
Dialogu me sektorin privat e akademinë dhe rekomandimet e kësaj punëtorie do të kontribuojnë në zhvillimin e politikave të qëndrueshme dhe të përgjegjshme ndaj Inteligjencës Artificiale, njëherit duke avancuar përdorimin e saj në administratën publike dhe më gjerë, në ekonomi e shoqëri.









