Ministri Lulëzon Jagxhiu vizitën në Japoni e filloi me një takim në Agjencinë e Japonisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA), ku u prit nga Drejtori për Lindjen e Mesme dhe Evropën, Kotaro Tanaka. Në këtë takim, ku ishte i shoqëruar nga Ambasadori i Kosovës në Japoni, Sabri Kiçmari, u konfirmua bashkëpunimi i shkëlqyer ndërmjet Kosovës dhe JICA-s, si dhe vullneti i përbashkët për vazhdimin dhe thellimin e tij.
Ministri Jagxhiu e falënderoi Drejtorin Tanaka për mbështetjen e vazhdueshme të JICA-s ndaj Kosovës, nga fusha si menaxhimi i mbeturinave, adresimi i ndotjes së ajrit e siguria ushqimore, e deri te transformimi digjital, që është duke u intensifikuar viteve të fundit. Shumë shërbyes civilë kanë kaluar përmes Programit për Bashkë-Krijimin e Njohurive, e pastaj edhe Programit të Akademisë Digjitale që ofrohen nga JICA. Projekti aktual i Sistemit Kombëtar të Informacionit për Zjarret në Pyje, i mbështetur nga JICA, është duke mundësuar ndërtimin e kapaciteteve për reduktimin e rrezikut nga fatkeqësitë.
Gjatë takimit, Ministri Jagxhiu prezantoi portofolin e Ministrisë së Digjitalizimit dhe Administratës Publike, progresin dhe planet në transformimin digjital dhe sigurinë kibernetike, duke u fokusuar në reformat dhe iniciativat kyçe të ndërmarra. Ai theksoi synimin që transformimi digjital të krijojë benefite për të gjitha kategoritë shoqërore pa dallim, dhe që askush të mos mbetet i lënë prapa në këtë rrugëtim.
Palët biseduan për thellimin e bashkëpunimit në transformimin digjital dhe reformën e administratës publike, duke avancuar dhe ndërlidhur bashkëpunimin zhvillimor dhe atë ekonomik mes vendeve tona. Gjithashtu, u theksua rëndësia e këtyre reformave në kontekstin e aspiratave të integrimit evropian të Kosovës, të cilat JICA i mbështet. Shkëmbimet me JICA Digital Transformation DXLab, që tashmë kanë filluar, mund të japin kontribut të çmueshëm në këtë rrugëtim, nga avancimi i infrastrukturës publike digjitale deri te shëndetësia digjitale.