Ministri i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu, priti në takim delegacionin e Komisionit Evropian, nga Drejtoria e Përgjithshme për Zgjerim dhe Fqinjësi Lindore (DG ENEST), të udhëhequr nga Jiří Plecity, Shef i Njësisë B2, si dhe përfaqësuesit e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, të udhëhequr nga Hubert Perr, Shef i Bashkëpunimit.
Takimi u zhvillua në prag të mbledhjes së Grupit të Veçantë për Reformën e Administratës Publike, ku u diskutua progresi i arritur dhe prioritetet për periudhën e ardhshme në reformën e administratës publike dhe transformimin digjital.
Gjatë takimit, Ministri Jagxhiu prezantoi reformat dhe rezultatet e arritura, përfshirë progresin në rekrutimin e centralizuar, racionalizimin e agjencive, miratimin e rregulloreve për organizimin e brendshëm të institucioneve, zvogëlimin e barrës administrative, si dhe zgjerimin e shërbimeve digjitale. Ai theksoi se krijimi i Ministrisë së Digjitalizimit dhe Administratës Publike mundëson koordinim më të mirë të këtyre reformave, duke e vendosur teknologjinë në funksion të modernizimit të administratës dhe përmirësimit të shërbimeve për qytetarët dhe bizneset.
Në veçanti, Jagxhiu prezantoi rezultatet e reformës së rekrutimit në shërbimin civil, ku gjatë vitit 2025 rreth 70% e të rekrutuarve ishin nën moshën 40-vjeçare dhe mbi 60% ishin gra. Këto rezultate janë tregues inkurajues të hapjes së administratës publike ndaj gjeneratave të reja dhe rritjes së gjithëpërfshirjes.
Në takim u diskutuan gjithashtu gjetjet dhe rekomandimet e Raportit të Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2026, si dhe progresi në zbatimin e 25 veprimeve të Agjendës së Reformave që janë nën përgjegjësinë e ministrisë.
Ministri theksoi se qëllimi nuk është vetëm miratimi i ligjeve dhe rregulloreve, por zbatimi i reformave që sjellin rezultate konkrete në praktikë. Në këtë drejtim, ai nënvizoi përkushtimin ndaj një qasjeje të bazuar në evidencë, vlerësimin e rezultateve dhe përmirësimin e vazhdueshëm të kornizës ligjore dhe institucionale.
Prioritetet për periudhën e ardhshme përfshijnë rritjen e efikasitetit të proceseve të rekrutimit, avancimin e racionalizimit institucional, forcimin e koordinimit ndërinstitucional dhe vazhdimin e transformimit digjital, me synim ndërtimin e një administrate më profesionale, meritokratike, efikase dhe të orientuar drejt qytetarëve.
Në përmbyllje, Ministri Jagxhiu falënderoi përfaqësuesit e Komisionit Evropian dhe të Zyrës së Bashkimit Evropian për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme në avancimin e reformave të administratës publike dhe transformimit digjital në Kosovë.





