Ministri Jagxhiu prezanton rezultatet e 100 ditëve: 400 shërbime të reja digjitale dhe hapa konkretë drejt transformimit të administratës publike

Ministri i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu, prezantoi rezultatet dhe projektet kryesore të 100 ditëve të para të mandatit në Ministrinë e Digjitalizimit dhe Administratës Publike.

Më poshtë gjeni fjalimin e plotë nga konferenca për media:

Të nderuar përfaqësues të mediave,

Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,

Sot po prezantoj para jush rezultatet e 100 ditëve të para të mandatit qeverisës të Ministrisë së Digjitalizimit dhe Administratës Publike. 100 ditëshi që u përmbyll të premten, është një periudhë e shkurtër kohore, por janë bërë hapa konkretë dhe të rëndësishëm drejt transformimit të administratës publike, avancimit të shtetit digjital dhe forcimit të kapaciteteve institucionale të Republikës së Kosovës.

Që në ditët e para kemi vendosur një vizion të qartë: institucionet duhet të funksionojnë më shpejt, më thjeshtë dhe më afër qytetarit. Për ne, digjitalizimi nuk është vetëm modernizim teknologjik, por mënyrë për të rritur efikasitetin, transparencën dhe besimin në institucione.

Në këto 100 ditë kemi kaluar nga planifikimi në zbatim. Kemi nisur reforma konkrete që prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve, kemi avancuar sigurinë kibernetike, kemi ndërtuar bazat e infrastrukturës moderne digjitale dhe kemi forcuar partneritetet strategjike ndërkombëtare.

Dua të theksoj se këto rezultate janë arritur në një periudhë kur Ministria e Digjitalizimit dhe Administratës Publike, si ministri e re, ka kaluar paralelisht edhe procesin e konsolidimit institucional dhe funksionalizimit të strukturave të saj. Përkundër kësaj, kemi arritur të ndërtojmë ritëm të shpejtë pune dhe të nisim e avancojmë në reforma, iniciativa dhe projekte konkrete me ndikim të drejtpërdrejtë për qytetarët dhe institucionet

Në fushën e digjitalizimit, kemi zgjeruar shërbimet e integruara për lindjen e fëmijës edhe në Prishtinë, pas pilotimit të suksesshëm në Gjilan dhe Ferizaj. Kjo qasje e bazuar në ngjarje jetësore po e ndryshon mënyrën se si shteti ofron shërbime, duke e vendosur qytetarin në qendër.

Paralelisht, kemi avancuar me përgatitjet për shërbimet e integruara që lidhen me 3 ngjarje të tjera jetësore: vdekjen e një të afërmi, hapjen e biznesit dhe ndërrimin e adresës së banimit, ndërsa fillimi i projektit për këto shërbime pritet gjatë muajit qershor.

Këtë javë pritet të fillojë zyrtarisht zbatimi i projektit eKosova 2.0, që do të përfshijë 400 shërbime të reja të digjitalizuara, funksionalitete të bazuara në inteligjencë artificiale, performancë të përmirësuar dhe siguri shtesë.

Në fillim të qershorit fillon zhvillimi i platformës mbarëqeveritare (WoG), e cila digjitalizon proceset e brendshme dhe ndërlidhë sistemet e menaxhimit të financave, burimeve njerëzore, pagave, aseteve dhe legjislacionit, me qëllim të avancimit të planifikimit, monitorimit dhe politikëbërjes bazuar në të dhëna.

Pas ratifikimit në Kuvend të projektit KOMPAS, kemi nisur implementimin e ekosistemit të Sistemit të Informacionit Shëndetësor në Kosovë, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë. Nga komponentët e këtij ekosistemi, 14 planifikohen të përfundohen brenda periudhës 3-vjeçare.

Kemi përfunduar fazën e parë të katalogut shtetëror të të dhënave, ku tashmë janë lidhur 5 regjistrat e parë shtetërorë, duke krijuar bazën për përdorimin e inteligjencës artificiale në proceset e administratës publike.

Këtë javë poashtu fillon zhvillimi i kornizës nacionale të interoperabilitetit dhe dizajnimi i platformës së interoperabilitetit të gjeneratës së re. Aktualisht, më shumë se 50 sisteme shtetërore janë të ndërlidhura përmes platformës ekzistuese, ndërsa synimi ynë është që këtë ndërlidhje ta ngrisim në nivel tjetër.

Kemi inicuar edhe procesin për zhvillimin e portalit të të dhënave të hapura, me qëllim të rritjes së transparencës dhe krijimit të vlerës shtesë nga të dhënat publike.

Poashtu, kemi mbledhur informata gjithëpërfshirëse për shërbimet administrative nga 27 institucione qeveritare dhe në qershor pritet të nënshkruhet kontrata për ndërtimin e sistemit digjital të katalogut të shërbimeve.

Në aspektin e infrastrukturës digjitale, kemi përfunduar dizajnin dhe specifikat teknike për modernizimin e rrjetit qeveritar GovNet, si dhe janë në finalizim specifikat për tranzicionin drejt cloud-it qeveritar hibrid dhe krijimin e qendrës së rimëkëmbjes nga fatkeqësitë. Përmes këtyre transformimeve synojmë krijimin e një infrastrukture moderne, të sigurt dhe të shkallëzueshme për epokën e inteligjencës artificiale.

Poashtu kemi siguruar grant prej 700 mijë dollarësh nga Korean Green Innovation Fund, që menaxhohet përmes Bankës Botërore, për forcimin e kapaciteteve inovuese dhe zbatim të inteligjencës artificiale në administratë publike.

Në kuadër të zvogëlimit të barrës administrative, kemi përfunduar udhëzuesin për thjeshtimin e shërbimeve administrative, si dhe Vlerësimin e Ndikimit Gjinor të procesit të zvogëlimit të barrës administrative, me synim një administratë më efikase dhe gjithëpërfshirëse.

Me synim të mbështetjes së zhvillimit të ekonomisë digjitale dhe gjithpërfshirjes digjitale, tashmë është implementuar rrjeti falas wireless përmes iniciativës WiFi4WB në Podujevë, Gjilan, Ferizaj, Klinë, Lipjan, Malishevë, Junik dhe Vushtrri. Gjatë kësaj jave pritet shtrirja edhe në 8 komuna tjera, me synimin që deri në fund të gushtit projekti të përfshijë të gjitha 33 komunat aplikuese.

Janë lansuar programe të reja trajnimi për studentë në fushën e inteligjencës artificiale, analitikës së të dhënave, teknologjisë cloud, administrimit të rrjeteve dhe shkathtësive të buta.

Gjithashtu kemi përfunduar implementimin e laboratorit radiofrekuencor në kuadër të Qendrës për Ekselencë Digjitale në Parkun e Inovacionit dhe Trajnimeve në Prizren, që krijon bazë për avancimin e menaxhimit të spektrit frekuencor dhe komunikimeve elektronike.

Kemi finalizuar edhe implementimin e projektit për Pikën e Vetme të Informacionit për Komunikime Elektronike, që përfshin sistemin Web GIS dhe avancimin e Atlasit Elektronik të Kosovës.

Ndërkohë, po përmbyllet faza e tretë e projektit për rrjetin e pavarur jopublik 5G në kuadër të Parkut të Inovacionit dhe Trajnimeve në Prizren, i cili pritet të finalizohet në muajin nëntor.

Në fushën e sigurisë kibernetike, kemi përfunduar implementimin e fazës së parë të Government SOC në Agjencinë e Shoqërisë së Informacionit, që përfshin monitorimin dhe reagimin ndaj kërcënimeve dhe incidenteve të sigurisë.

Kemi funksionalizuar Cyber Lab për Agjencinë e Sigurisë Kibernetike, si dhe platformën e trajnimeve digjitale për siguri kibernetike për shërbyesit civil në kuadër të Institutit të Kosovës për Administratë Publike.

Kur jemi te IKAP-i, gjatë kësaj periudhe janë organizuar 81 trajnime me mbi 2200 pjesëmarrës – që paraqet njբ dinamikë të re në zhvilimin e kapaciteteve në administratë publike. Risi është edhe orientimi i shtuar drejt programeve të e-mësimit.

Sa i përket reformës së administratës publike, kemi aprovuar në Qeveri plotësim-ndryshimin e ligjit për racionalizimin e agjencive ekzekutive dhe vendosjen e vijave të qarta të llogaridhënies. Përmes këtij procesi, 10 institucione të trashëgimisë kulturore konsolidohen në një institucion të vetëm. Në ndërkohë ka filluar edhe vala e tretë e racionalizimit të agjencive që përfshin 5 ministri.

Poashtu kemi rifilluar procesin e rekrutimeve sipas rregullores së re për procedurën e pranimit në shërbimin civil, e cila garanton më shumë transparencë dhe meritokraci përmes përzgjedhjes algoritmike të komisioneve të pranimit dhe bankës së re të pyetjeve të rekrutimit. Tashmë janë inicuar 47 konkurse nga institucionet qendrore të administratës shtetërore.

Kemi themeluar edhe Këshillin e Ministrave për Reformën e Administratës Publike dhe strukturat përgjegjëse për koordinimin dhe monitorimin e Reformës së Administratës Publike.

Në fushën e infrastrukturës shtetërore, kemi inauguruar objektin e ri qeveritar në kompleksin “Prishtina e Re”, me sipërfaqe prej 4682 m2, i cili i është dhënë në shfrytëzim Agjencisë për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar.

Poashtu kemi inauguruar ndërtesën e re të Administratës Tatimore të Kosovës në veri të Mitrovicës, që do t’u shërbejë qytetarëve me kushte më të mira dhe shërbime më efikase.

Në planin e bashkëpunimit ndërkombëtar, kemi zhvilluar takime të rëndësishme të nivelit të lartë me partnerë strategjikë në Republikën e Koresë, Japoni dhe vendet e Ballkanit Perëndimor, si dhe me ambasadat partnere dhe organizatat ndërkombëtare.

Kosova ka marrë pjesë aktive edhe në takimin e parë ministror të ministrave të administratës publike të Ballkanit Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit.

Shumë nga projektet dhe reformat që prezantuam sot po realizohen me mbështetjen e partnerëve tanë ndërkombëtarë, përfshirë Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretërinë e Bashkuar, Gjermaninë, Luksemburgun, Japoninë, Korenë Jugore, Bankën Botërore dhe agjencitë e Kombeve të Bashkuara. Për këtë mbështetje dhe partneritet të vazhdueshëm shprehim falenderimin dhe mirënjohjen tonë të sinqertë.

Rezultatet që prezantuam sot nuk janë vetëm procese administrative apo projekte teknike. Ato janë tregues konkretë të drejtimit që kemi marrë si qeveri – drejt një administrate moderne, efikase dhe të orientuar nga qytetari, si dhe drejt një Kosove që ndërton zhvillimin e saj mbi inovacion, teknologji dhe qeverisje të mirë.

Ky është vetëm fillimi i një transformimi rrënjësor që kemi nisur dhe për të cilin mbetemi plotësisht të përkushtuar.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors