Dje, në Ministrinë e Digjitalizimit dhe Administratës Publike, u prit Siim Sikkut, ish-CIO i Qeverisë së Estonisë dhe partner menaxhues në Digital Nation.
Në takim, u zhvillua një diskutim i hapur mbi përvojën e Estonisë si vend lider global në transformimin digjital dhe mënyrat se si mund të zhvillohet më tej infrastruktura dhe shërbimet digjitale në Kosovë, me fokus në ndërveprueshmërinë e sistemeve, infrastrukturën e të dhënave dhe inteligjencën artificiale.
Një fokus i veçantë iu kushtua ndërlidhjes së sistemeve, në mënyrë që lëvizja e qytetarëve nga një institucion në tjetrin të zëvendësohet me shkëmbimin e të dhënave ndërmjet institucioneve. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për ofrimin e shërbimeve të bazuara në ngjarje jetësore, ku koordinimi dhe ndërveprimi institucional mundësojnë shërbime më të integruara, proaktive dhe të personalizuara.
Gjithashtu, u diskutuan mundësitë për përdorimin më të gjerë të inteligjencës artificiale në administratën publike, si dhe zhvillimin e ekosistemeve digjitale në arsim dhe shëndetësi.
Përvoja e Estonisë përbën një pikë të vlefshme referimi në punën për ndërtimin e një administrate publike moderne dhe digjitale, ku teknologjia shërben për zgjidhjen e problemeve konkrete dhe përmbushjen e nevojave të qytetarëve, u shpreh mes tjerash Ministri Jagxhiu.


