Agjendën e qëndrimit zyrtar në Republikën e Kroacisë, Ministri i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu, e vazhdoi me takime me institucionet kryesore të Kroacisë përgjegjëse për digjitalizimin e shëndetësisë – Ministrinë e Shëndetësisë dhe Fondin Kroat të Sigurimit Shëndetësor (HZZO).
Takimet u zhvilluan në kontekstin e implementimit të projektit KOMPAS, të financuar nga Banka Botërore, përmes të cilit Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Digjitalizimit dhe Administratës Publike, është duke ndërtuar shtyllat kryesore të ekosistemit të informacionit shëndetësor në Kosovë.
Gjatë takimeve u diskutua përvoja e Kroacisë në zhvillimin dhe funksionimin e shërbimeve digjitale shëndetësore, përfshirë e-reçetat, e-referimet, regjistrat elektronikë shëndetësorë dhe platformat kombëtare të informacionit shëndetësor.
Vëmendje iu kushtua edhe interoperabilitetit të sistemeve, përdorimit të identitetit elektronik dhe shkëmbimit ndërkufitar të të dhënave shëndetësore.
Me drejtuesit e HZZO-së u diskutua gjithashtu roli i sistemeve digjitale në zbatimin e sistemit të sigurimeve shëndetësore.
Shkëmbimi i përvojave institucionale dhe teknike me Kroacinë është i rëndësishëm për avancimin e ekosistemit digjital shëndetësor në Republikën e Kosovës, me synim përmirësimin e shërbimeve shëndetësore për qytetarët, avancimin e menaxhimit, efikasitetit dhe llogaridhënies në institucionet shëndetësore, si dhe forcimin e politikëbërjes së bazuar në të dhëna.
Ministri Jagxhiu falënderoi ekipin e Bankës Botërore për fasilitimin e këtij bashkëpunimi me ekosistemin e e-shëndetësisë në Kroaci.