Platforma Mbarëqeveritare (Whole-of-Government Platform – WoG) shënon një hap të rëndësishëm drejt transformimit digjital të administratës publike në Kosovë.

Ministri i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu, hapi sot punimet për fillimin e implementimit të kësaj platforme, e cila nuk është thjesht një projekt i ri i teknologjisë së informacionit. Ajo është një investim në mënyrën se si qeveria planifikon, koordinon, zbaton dhe monitoron politikat publike.

Me këtë projekt po ndërtohet shtylla e brendshme e transformimit digjital të qeverisë, duke kaluar nga procese të fragmentuara drejt një administrate më të integruar, më të koordinuar dhe të mbështetur në të dhëna.

Platforma WoG do të krijojë një hapësirë të përbashkët digjitale për institucionet, duke mundësuar planifikimin strategjik, monitorimin e Programit të Qeverisë dhe Strategjisë Kombëtare për Zhvillim, menaxhimin e rrjedhave të punës, raportimin analitik, si dhe integrimin me sistemet ekzistuese qeveritare, përfshirë ato të menaxhimit të financave publike, burimeve njerëzore, pagave, aseteve, legjislacionit dhe sisteme të tjera të përbashkëta.

Përmes standardizimit të proceseve dhe automatizimit të rrjedhave të punës, kjo platformë do të ndihmojë në zvogëlimin e barrës administrative brenda institucioneve, thjeshtimin e procedurave dhe rritjen e efikasitetit institucional.

Gjatë këtij procesi, së bashku me institucionet pjesëmarrëse do të shqyrtohen dhe validohen kërkesat funksionale dhe teknike të platformës, duke siguruar që ajo t’u përgjigjet nevojave të institucioneve dhe të mbështesë një administratë publike më efikase.

Një qeveri moderne nuk ndërtohet vetëm mbi teknologjinë. Ajo ndërtohet mbi procese të standardizuara, bashkëpunim institucional, menaxhim të bazuar në të dhëna dhe llogaridhënie. Pikërisht këtë synon të realizojë Platforma Mbarëqeveritare.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors