Sot u prezantua ndërlidhja e Sistemit të Informacionit për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore (SIMBNJ) me Sistemin e Menaxhimit të Pagave të Thesarit të Kosovës, e cila mundëson shkëmbimin automatik të të dhënave ndërmjet dy sistemeve të rëndësishme qeveritare.
Ministri i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu, e vlerësoi këtë si një hap konkret drejt modernizimit të administratës publike. Përmes kësaj ndërlidhjeje, lehtësohen proceset e administrimit të personelit dhe pagave, zvogëlohet puna manuale dhe mundësia e gabimeve, ndërsa rritet saktësia dhe besueshmëria e të dhënave.
Kjo arritje kontribuon edhe në përmbushjen e zotimeve të Kosovës në kuadër të Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian. Pas verifikimit përkatës nga BE-ja, pritet të mundësojë lirimin e 8.9 milionë eurove nga fondet e këtij plani, shtoi ai.
Ministri theksoi se rëndësia e kësaj ndërlidhjeje nuk qëndron vetëm te teknologjia, por edhe te përmirësimi i funksionimit të institucioneve. Në këtë drejtim, ai nënvizoi rëndësinë e përgjegjësisë së secilit institucion për saktësinë dhe përditësimin e të dhënave në SIMBNJ, në mënyrë që sistemi të shërbejë edhe si instrument për menaxhimin dhe planifikimin më të mirë të burimeve njerëzore.
Ministria do të vazhdojë të investojë në sisteme të integruara dhe procese të automatizuara, me synimin për një administratë publike më efikase dhe procese më të mira institucionale.








