Prishtinë, 19 qershor 2026
Ministria e Digjitalizimit dhe Administratës Publike shënoi sot 23 Qershorin – Ditën e Shërbimit Publik, duke mbledhur përfaqësues institucionalë, partnerë ndërkombëtarë dhe shërbyes publikë për të vlerësuar rolin e administratës publike në zhvillimin e vendit dhe përmirësimin e shërbimeve për qytetarët.
Në shënimin e 23 qershorit Ditës Ndërkombëtare të Shërbimit Publik, të shoqëruar me ceremoninë e ndarjes së mirënjohjeve për shërbyesit civilë të dalluar, mori pjesë edhe Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti
Në hapje të ceremonisë, Kryeministri Kurti theksoi rëndësinë e shërbimit publik dhe rolit të shërbyesve civilë në funksionimin e shtetit, duke vlerësuar se administrata publike përbën fytyrën e Republikës karshi qytetarit. Sipas tij, qytetari e përjeton shtetin përmes punës së përditshme të zyrtarëve publikë, të cilët ofrojnë shërbime, garantojnë qasje në të drejta dhe kontribuojnë në ndërtimin e besimit ndaj institucioneve. Kurti vlerësoi gjithashtu përpjekjet për reformimin dhe digjitalizimin e administratës publike, duke theksuar se një administratë efikase, transparente dhe e orientuar drejt qytetarit është thelbësore për forcimin e shtetit dhe përmirësimin e shërbimeve publike.
Ministri i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu, ne fjalën e tij tha se administrata publike është shtylla kryesore e funksionimit të shtetit dhe pika ku qytetari përballet drejtpërdrejt me institucionet publike. Ai theksoi se shërbimi publik është rezultat i punës së përditshme të nëpunësve civilë dhe faktor kyç në forcimin e besimit të qytetarëve ndaj institucioneve.
Ministri Jagxhiu nënvizoi se reforma e administratës publike dhe transformimi digjital janë procese të pandara dhe duhet të zhvillohen paralelisht, duke theksuar se digjitalizimi pa reformë administrative vetëm zhvendos burokracinë, ndërsa reforma pa digjitalizim mbetet e ngadaltë dhe joefikase. Ai shtoi se synimi i Ministrisë është ndërtimi i një administrate profesionale, të thjeshtë në procedura, të sigurt në sisteme dhe të matshme në rezultate, me fokus të qartë te qytetari. Jagxhiu theksoi gjithashtu investimet në platformat kryesore digjitale, përfshirë interoperabilitetin, katalogun qeveritar të të dhënave dhe platformën e vendimmarrjes së bazuar në të dhëna, si dhe zgjerimin e shërbimeve në platformën eKosova me mbi 320 shërbime elektronike. Ai shtoi se qëllimi nuk është vetëm rritja e numrit të shërbimeve online, por transformimi i mënyrës së ofrimit të shërbimeve duke vendosur qytetarin në qendër, përmes thjeshtimit të procedurave, shkëmbimit të të dhënave dhe rritjes së sigurisë së sistemeve.
Në fund të fjalës së tij, Ministri jagxhiu theksoi se transformimi i administratës publike është mbi të gjitha transformim njerëzor dhe se shërbyesit civilë mbeten motori kryesor i këtij procesi, ndërsa Ministria do të vazhdojë t’i mbështesë me mjete, trajnime dhe sisteme moderne.
Shefi i Bashkëpunimit në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, Hubert Perr, theksoi rëndësinë e shërbimit publik si shtyllë e shtetit dhe raportit të tij me qytetarët, duke vlerësuar se shërbyesit civilë mbajnë peshën kryesore të funksionimit institucional.Ai tha se shërbyesit civilë duhet të ndihen krenarë për punën që bëjnë dhe për kontributin e tyre në përfaqësimin e Kosovës përmes profesionalizmit dhe përkushtimit të përditshëm, përfshirë edhe në kuadër të reformave të menaxhimit financiar dhe qeverisjes (RGF). Sipas tij, pavarësisht proceseve të vazhdueshme të digjitalizimit dhe nevojës për përditësim të vazhdueshëm të sistemeve, “zemra e shërbimit publik mbeten shërbyesit civilë”.
Perr vlerësoi gjithashtu iniciativën e Qeverisë së Kosovës për krijimin e Ministrisë së Digjitalizimit dhe Administratës Publike, duke theksuar se kjo dëshmon një qasje të qartë strategjike ndaj reformimit të administratës publike, forcimit të digjitalizimit dhe vendosjes së qytetarit në qendër të shërbimeve publike.
Në përmbyllje të ceremonisë, Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Flurije Durmishi, mbajti fjalën përmbyllëse, duke falënderuar të pranishmit për pjesëmarrjen dhe kontributin në këtë ngjarje.
Ajo theksoi se të gjithë të vlerësuarit, si dhe shumë shërbyes të tjerë publikë, janë dëshmi e një administrate të ndërtuar mbi përgjegjësinë, integritetin dhe punën e ndershme. Në fund, ajo uroi suksese të mëtejshme për të gjithë nëpunësit civilë.
Në kuadër të ceremonisë u ndanë mirënjohje për shërbyes civilë të dalluar, në shenjë vlerësimi për përkushtimin, profesionalizmin dhe kontributin e tyre në forcimin e administratës publike dhe ofrimin e shërbimeve cilësore për qytetarët.
Dita Ndërkombëtare e Shërbimit Publik shënohet çdo vit për të njohur dhe promovuar rolin e shërbyesve publikë në ndërtimin e institucioneve efikase, transparente dhe të orientuara drejt nevojave të qytetarëve.