Reforma e Administratës Publike (RAP) është një proces strategjik dhe afatgjatë i modernizimit të administratës publike në Republikën e Kosovës, që synon ndërtimin e institucioneve profesionale, efikase, transparente dhe të përgjegjshme, të afta për t’ju përgjigjur nevojave të qytetarëve, bizneseve dhe zhvillimit të vendit. Si një nga shtyllat kryesore të qeverisjes së mirë, reforma synon të forcojë kapacitetet institucionale, të përmirësojë cilësinë e politikave publike dhe të sigurojë shërbime publike cilësore, të qasshme dhe të orientuara drejt qytetarit.
Reforma mbështetet në parimet e profesionalizmit, meritës, integritetit, transparencës, llogaridhënies dhe orientimit drejt rezultateve, duke promovuar një administratë publike që planifikon, koordinon dhe zbaton politika në mënyrë efektive. Ajo synon institucione fleksibile dhe bashkëpunuese, të afta për t’ju përshtatur zhvillimeve shoqërore, ekonomike dhe teknologjike, me qytetarin në qendër të vendimmarrjes dhe ofrimit të shërbimeve.
Transformimi digjital është një nga shtytësit kryesorë të reformës. Digjitalizimi i proceseve administrative, zhvillimi i shërbimeve elektronike, përdorimi i të dhënave në vendimmarrje dhe avancimi i ndërveprimit digjital ndërmjet institucioneve rrisin efikasitetin, transparencën dhe cilësinë e shërbimeve publike. Reforma synon një administratë që shfrytëzon teknologjinë për të përmirësuar politikat publike, përvojën e qytetarëve dhe ofrimin e shërbimeve të integruara.
Reforma e Administratës Publike është gjithashtu një komponent thelbësor i procesit të integrimit evropian të Republikës së Kosovës. Përmes modernizimit të administratës shtetërore dhe forcimit të kapaciteteve institucionale, ajo kontribuon në ndërtimin e institucioneve më efektive, më të besueshme dhe më të përgatitura për përmbushjen e obligimeve që rrjedhin nga procesi i integrimit evropian.
Reforma e Administratës Publike zbatohet mbi një kornizë të integruar strategjike dhe ligjore, e cila përcakton prioritetet, objektivat dhe mekanizmat për modernizimin e administratës publike në Republikën e Kosovës. Dokumenti bazë është Strategjia e Reformës së Administratës Publike (SRAP 2022–2027), e cila përcakton vizionin dhe objektivat strategjike të reformës në katër fusha prioritare: planifikimin dhe koordinimin e politikave, ofrimin e shërbimeve publike, shërbimin publik dhe menaxhimin e burimeve njerëzore, si dhe llogaridhënien dhe transparencën. Zbatimi i saj mbështetet nga Plani i Veprimit 2022–2024 dhe Plani i Rishikuar i Veprimit 2025–2027, të cilët përcaktojnë masat, institucionet përgjegjëse, afatet dhe treguesit për monitorimin e progresit.
Korniza e reformës plotësohet nga Ligji për Zyrtarët Publik (LZP); Ligji për Pagat në Sektorin Publik (LPZP); dhe Ligji për Organizimin dhe Funksionimin e Administratës Shtetërore dhe Agjencive të Pavarura (LOFASHAP).
Organizimi institucional është organizuar përmes Programit për Racionalizimin e Agjencive, dhe legjislacionit për racionalizimin dhe vendosjen e vijave të llogaridhënies së agjencive ekzekutive. Ndërkaq performanca institucionale përmes Rregullores (QRK) Nr. 12/2023 mbi Sistemin e Menaxhimit të Performancës së Agjencive, si dhe Udhëzuesi Nr. 02/2023 për Zbatimin e Sistemit të Menaxhimit të Performancës për Agjencitë.
Së bashku, këto dokumente krijojnë bazën për zhvillimin e një administrate publike moderne, profesionale dhe të orientuar drejt qytetarëve, duke mbështetur modernizimin e institucioneve, përmirësimin e vazhdueshëm të qeverisjes publike dhe transformimin digjital të sektorit publik.
Së bashku, këto dokumente krijojnë bazën për zhvillimin e një administrate publike moderne,
profesionale dhe të orientuar drejt qytetarëve, duke mbështetur modernizimin e institucioneve,
përmirësimin e vazhdueshëm të qeverisjes publike dhe transformimin digjital të sektorit publik.